Apostolova shpreson që së shpejti të ketë vetëm një Mitrovicë

Aktuale

Apostolova shpreson që së shpejti të ketë vetëm një Mitrovicë

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 11:48
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në Mitrovicë

(E plotësuar)

Përfaqësuesja e posaçme e BE-së për Kosovën, Nataliya Apostolova, ka vizituar të hënën veriun e Mitrovicës, për t’u njohur nga afër me ecurinë e punëve rreth projekte të financuara nga BE-ja në këtë komunë.

Renovimi  i Shtëpisë së Shëndetit, ndërtimi i  stacionit të ri të autobusëve dhe ndërtimi i parkut të ri të qytetit si dhe renovimi i 14 parqeve më të vogla të qytetit janë disa nga projektet që BE ka financiar në pjesën veriore të qytetit.

 Shefja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova shprehu shpresën e saj se në të ardhmen më nuk do të flitet për Mitrovicën Veriore dhe Jugore por vetëm për Mitrovicën.

 Këtë përgjigje ajo e dha kur u pyet nga gazetarët nëse do ta vizitojë edhe pjesën jugore të qytetit.

 “Më lejoni të them se shpresoj që së shpejti nuk do të flasim më për Mitrovicën Veriore  dhe Mitrovicën jugore por do të flasim për Mitrovicën, kjo është dëshira ime. Dhe mendoja se kjo do ishte simbol i integrimit të këtij qyteti. Unë e vizitova urën shkova bashkë me menaxherin e këtij projekti, por sot takimi është organizuar me kryetarët kështu që më është dashur të diskutoj me ta shumë gjëra  Unë padyshim se do ta vizitoj jugun meqë ne kemi shumë projekte atje ,” tha Apostolova.  

 Shefja e BE-së po ashtu ka deklaruar se zhvillimi i pjesës veriore është shumë i rëndësishëm jo vetëm për qytetarët që jetojnë këtu por edhe për Bashkimin Evropian.

  “Kam marrë detyrën para rreth një muaji dhe qyteti i parë të cilin e vizitoj, përjashtuar Prishtinën, është Mitrovica. Kjo do të thotë se zhvillimi i veriut të Kosovës është i rëndësisë së veçantë për ne dhe Unionin Evropian, është i rëndësisë së veçantë jo vetëm për shkak të dialogut që po zhvillohet mes Beogradit dhe Prishtinës, por po ashtu edhe për shkak të integrimit institucional që është një shembull i mirë të cilin mund ta shohim edhe këtu në Mitrovicë. Siç e dini Unioni Evropian ka ndarë rreth 38.5 milionë euro vetëm për zhvillimin e kësaj pjese të Kosovës, si në fushën socio-ekonomike,të arsimit, për forcimin e shëndetësisë, integrimit të mëtutjeshëm dhe fuqizimit të institucioneve lokale, kulturës… Mendoj se edhe ura në Mitrovicë do të jetë një projekt shuam simbolik  për të cilin mendoj se do ta përfundojmë suksesshëm, që do të jetë një simbol i normalizimit të raporteve, dhe me shumë dobi për komunitetet për të dy palë qytetarët që jetojnë në të dy anët”, tha Apostolova.

 Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës  Goran Rakiq u pyet edhe për ndërtimin e xhamisë afër urës së Ibrit si dhe për marrëveshjen për kufirin administrativ ndërmjet dy pjesëve.

Sipas tij komuniteti serb nuk ka asgjë kundër ndërtimit të kulteve fetare, të cilat janë shkatërruar gjatë luftës, ndërsa sa i përket marrëveshjes për kufirin  administrativ,  akoma nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe sipas Rakiqit kjo çështje duhet të kthehet sërish në Bruksel për t’u zgjidhur.

 Rakiq tha se  projektet e financuara nga BE-ja do të avancojnë dhe përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve.

“Dua vërtetë të falënderoj Unionin Evropian sepse të gjitha këto projekte do ta avancojnë dhe përmirësojnë kualitetin e jetës të qytetarëve tonë… Në fillim të vitit të ardhshëm presim fillimin e ndërtimit të e Qendrës së re të kulturës, ndërtesës së Komunës dhe objektit të ri të universitetit, projekte këto të cilat po ashtu financohen nga Unioni Evropian”, tha Rakiq.

Shefja e BE-së gjatë kësaj vizite është takuar edhe me kryetarët e komunave veriore me të cilët ka diskutuar për të gjitha çështjet sa i përket bashkëpunimit të mëtutjeshëm me BE-në.

Apostolova: S`do të ketë as jug, as veri, por vetëm Mitrovicë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka thënë se së shpejti nuk do të ketë as jug as veri por vetëm Mitrovicë.

Këto komente ajo e bëri pasiqë vizitoi sot stacionin e autobusëve që po ndërtohet në Mitrovicën Veriore me ç`rast shtoi se së shpejti do përfundojë  projekti i revitalizimit  të urës kryesore në Mitrovicë.

Ndërsa nikoqiri i saj, kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, Kosovës iu referua si “Kosova e Metohija”

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat