‘Hashim Thaçi po degradon vetveten’

Aktuale

‘Hashim Thaçi po degradon vetveten’

Nga: Mimozë Lakna Më: 15 janar 2017 Në ora: 13:46
Hashim Thaçi

“Bëhet pyetja kush e udhëhoqi shtetin në këtë dështim e kush tjetër ka sunduar Kosovën në këtë dështim,  më shumë sesa vetë tani President Hashim Thaçi,  plus Gjykata është formuar pikërisht sipas raportit tejet tendencioz të Dik Martit, ku i akuzuari kryesor është Hashim Thaçi. Tani del Presidenti i përmend vrasjen e dëshmitarëve, po kush i ka vrarë dhe rrezikuar më shumë dëshmitarët se pikërisht klanit të vet Hashim Thaçit gjerë sot? Shkruan Presidenti letra "dashurie", prokurorit që edhe ashtu e ka zgjedh vetë prokuror kinse t`i hetoj vrasjet politike gjerë sot”, ka thënë Naim Miftari.

Atë që e kishte pretenduar kaherë edhe vetë Serbia, e  ka thënë edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi së fundmi. Formimi i Gjykatës Speciale sipas Presidentit Thaçi u bë për shkak të vrasjes së dëshmitarëve. Kështu, sipas Presidentit Thaçi, Gjykata Speciale është produkt i kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve pas luftës dhe jo rezultat i vendimeve politike të gabuara.  “Edhe në vitin 2017 na presin sfida, që kërkojnë angazhim të përgjithshëm. Një nga këto sfida padyshim është edhe Gjykata Speciale për të cilën eksponentë të caktuar të politikës po akuzojnë institucionet e Kosovës për vendimet e tyre. Është e qartë se Gjykata Speciale është produkt i kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve pas luftës dhe jo rezultat i vendimeve politike të gabuara”, ka thënë Presidenti Thaçi për mediet vendore. Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta, nga ata të cilët që nga fillimi kundërshtuan themelimin e Gjykatës Speciale.

Loja me dëshmitarët

Për Bilall Sherifin, sekretar i Përgjithshëm nga Nisma për Kosovën, akuzat se gjoja dëshmitarët në Kosovë janë kërcënuar, madje edhe janë vrarë, nuk janë të reja dhe janë akuza të përsëritura deri në banalitet.  “Të gjithë prokurorët që kishin lëndët e sajuara kundër luftëtarëve të UÇK-së, qofshin prokurorët e gjykatës ndërkombëtare të Hagës, qofshin ata që udhëhiqnin proceset gjyqësore në Kosovë, kur ballafaqoheshin me mungesa provash arsyetoheshin, se gjoja “dëshmitarët ishin kërcënuar apo vrarë”. Kjo formë e justifikimit ishte e njohur si formë që paraprakisht kishin përdorur prokurorët dhe gjyqtarët serbë dhe që ishte përvetësuar nga Carla del Ponte dhe disa prokuror të UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, ka thënë Sherifi.  Sipas tij, krahas prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë e ndërkombëtarë, akuzat për gjoja kërcënimin e dëshmitarëve ose vrasjen e tyre e përsëritnin edhe politikanë serbë, derisa në fund kësaj akuze të rrejshme iu bashkua edhe Presidenti Hashim Thaçi. “Arsyet pse Carla del Ponte dhe zyrtarët Serbë i kanë bërë këto akuza kundër Kosovës janë të shpjegueshme, ata i ka bashkuar armiqësia ndaj Kosovës dhe SHBA-ve. Mirëpo përsëritja e akuzave të njëjta nga presidenti i vendit Hashim Thaçi është shumë më e rëndë. Është shumë më e rëndë sepse armiqtë e Kosovës do ta përdorin si argument përpara të gjithë atyre që kishin dilema mbi vërtetësinë e këtyre akuzave. Kjo deklaratë e papërgjegjshme e Presidentit të Kosovës është thikë pas shpine UÇK-së dhe implikim i drejtpërdrejtë në fshehjen e kriminelëve që kishin kryer krimet që u mvishen luftëtarëve të lirisë”, është shprehur ai.  Ai ka potencuar se, ky veprim i Hashim Thaçit përbën një përpjekje dëshpëruese për të ndërruar statusin e tij personal në raport me Gjykatën Speciale.   “Në të ardhmen do të shihni se si kjo deklaratë e tij në të gjitha proceset që do të mbahen nga Gjykata Speciale do të përdoret si dëshmi nga prokurorët kundër të akuzuarve dhe kundër Kosovës. Pra, përmes kësaj deklarate Hashim Thaçi i vetë ofrohet Gjykatës Speciale si dëshmitar. Vetëm se ky jo sikur dëshmitar i mbrojtur! Mbase anonim?”, ka thënë Sherifi në një reagim publik.

Thaçi po degradon vetveten

Kurse, për analistin Ali Hertica, vrasja e dëshmitarëve që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale, është një gënjeshtër, pasi sipas tij, asnjë dëshmitarë nuk e di se kush është i kërkuari për krime lufte.  Ai ka theksuar, se Prokuroria gjithsesi duhet të merret me deklaratat e Presidentit Thaçi.  “Presidenti i vendit, nuk e di se çfarë informatash mund të ketë, kur besoj se nuk është në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk ka kurrfarë informacione dhe nuk do të merret me këto skena të cilat e degradonin shtetin dhe vlerën e UÇK-së si dhe vet personalitetin e tij, si i pari i shtetit. Po qe se di  ndonjë  gjë,  duhet që Prokuroria e shtetit ta thërrasë në dëgjim sepse ligji duhet të funksionin për çdokënd”, ka nënvizuar Hertica.  Kurse, sipas analistit Ismet Haziri, shkasi kryesor i idesë për gjykatën speciale ka qenë pamundësia e mbrojtjes se dëshmitarëve.  “Fakti se bashkësia ndërkombëtare, BE dhe ne si Kosovë  paguajmë me miliona euro që organet kompetente si UNMIK, EULEX dhe polici, prokurori, Ministria e drejtësisë së Kosovës t`i kryejnë detyrat, për të cilat paguhen me shuma majme. Sa i përket rrolit të Presidentit si përfaqësues më i lartë i shtetit duhet të ushtroj të drejtën e vet kushtetuese, që të inkurajojë funksionimin e institucioneve duke dhënë dëshmi me aktin e vet të përfaqësimit dhe funksionimit të pozitës së presidentit. Në të njëjtën kohë duhet të ndikoj që sa më shpejt Kosovës, shqiptareve dhe UÇK-së t`i hiqet nga qafa barra e padrejtë që po i mvishet në lidhje me krimet”, ka theksuar ai.

Specialja, pas dështimit të drejtësisë vendase

Ndërkaq, Naim Miftari, ish-pjesëtar i SHIK-ut, ka theksuar se Gjykata Speciale, u formua pasi shteti ka dështuar t`i kryejë detyrat e tij, në aspektin e sundimit të ligjit.  “Bëhet pyetja kush e udhëhoqi shtetin në këtë dështim e kush tjetër ka sunduar Kosovën në këtë dështim,  më shumë sesa vetë tani President Hashim Thaçi,  plus Gjykata është formuar pikërisht sipas raportit tejet tendencioz të Dik Martit, ku i akuzuari kryesor është Hashim Thaçi. Tani del Presidenti i përmend vrasjen e dëshmitarëve, po kush i ka vrarë dhe rrezikuar më shumë dëshmitarët se pikërisht klanit të vet Hashim Thaçit gjerë sot? Shkruan Presidenti letra "dashurie", prokurorit që edhe ashtu e ka zgjedh vetë prokuror kinse t`i hetoj vrasjet politike gjerë sot”, ka thënë ai.  Më tej, Miftari ka pyetur se çka bëri Presidenti Thaçi sa ishte kryeministër dhe përse atëherë nuk urdhëroi prokuroritë të zbulonin vrasjet dhe po ashtu vrasjet e dëshmitarëve?   “Pse nuk i mbrojti shteti dëshmitarët, por realiteti është krejt ndryshe, ende pa e nënshkruar deklaratën dëshmitari, ky shtet i dërgon klanet e para politikës, të cilat  vendosin a do të jetoj ky dëshmitarë apo jo? Pra, fajtor për rrezikimin e dëshmitarëve është vetë shteti i cili kontrollohet nga klanet para politike të lidhura po ashtu me nëntokë, ku jeta e një dëshmitari ka vlerën zero. Sa më shumë di dëshmitari, aq më rrezik ka për qenë jeta e tij”, është shprehur ai.  Naim Miftari ka treguar se, Policia dhe Prokuroria Speciale i kanë shkuar në shtëpinë e tij për ta pyetur rreth asaj që di për të bëmat e luftës por edhe të pasluftës.  “Presidenti duhet t`i tregoj njëherë të bëmat e veta, para se t`a akuzoj tjetërkënd dhe presidenti sa m’i dërgon policinë dhe Prokurorët special në shtëpinë time siç m`i dërgoi para disa javësh që të masin rrezikshmërinë, se sa dimë dhe sa kemi informacione mbi krimin dhe vrasjet e pas luftës. Është mirë të deklarohet vetë para drejtësisë e cila faktikisht nuk ekziston në shtetin tonë sot, ku presidenti akuzon tjerët, ndërsa vet ka shumë akuza, jo akuza nga ndërkombëtarët por akuza nga shqiptarët, ku akuzohet për shumë vrasje dhe dhënie të urdhrit për vrasje, maltretime dhe shumë konspiracione kundër luftëtarëve të lirisë dhe vepra tjera kriminale, si varfërimi ekonomik i vendit izolimi etiketimi i vendit tonë si cerdhe e ISIS-it”, ka potencuar Naim Miftari./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat