Pse nuk dorëhiqen të akuzuarit?

Aktuale

Pse nuk dorëhiqen të akuzuarit?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 janar 2017 Në ora: 15:34
Ilustrim

Viti 2017 pa dyshim se do të jetë sfidues për skenën politike në Kosovë, pasi Gjykata Speciale do të tentoj t`i zbardhë të gjitha rastet e dyshimta, derisa në mesin e të dyshuarve ka edhe emra politikanësh. Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se, edhe përkundër lakimit të disa prej emrave të politikanëve, si të mundshëm për t`u hetuar nga Gjykata Speciale, në njëjtit, vazhdojnë ti mbajnë postet e tyre dhe nuk shfaqin dëshirën që të japin dorëheqje, derisa të mbarojnë hetimet.  Sipas tyre, ata po mundohen të fshihen pas posteve që kanë vetëm e vetëm për ta shpëtuar vetveten.  Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi ka deklaruar, se personat rreth të cilëve ka opinione se do të hetohen mund të futen në dy kategori. Sipas tij, e para janë ata që kanë vërtet probleme me drejtësinë dhe e dyta ata që janë thjesht në kuadrin e hamendësive, se kanë probleme me drejtësinë.

“Të dy palët kanë të drejtë të pretendojnë, se nuk do të preken nga hetimet dhe i presin por nuk u paraprijnë me dorëheqje  nga postet që mbajnë. Kategoria që është objekt i ligjit nuk kanë logjikën morale të të bërit të gjërave për rrjedhojë vetëdijen në kufijtë e duhur dhe kështu nuk mund të japin dorëheqje sepse në se do të ishte ndryshe ata nuk do të ishin objekt i ligjit. Kemi të bëjmë me njerëz që kanë mendësi kusarie dhe e shohin shtetin si pronë të tyre dhe pushtetin si torbë plaçke që duhet ta çojnë në shpi. Megjithatë pak rëndësi ka, e rëndësishme është që po vendoset një sistem referimi tjetër për të ardhmen”, ka thënë Roshi.

Njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka thënë, se çdo kush që ka bërë krime do të akuzohet, edhe pse zyrtarisht nuk ka ende të dhëna. Sipas tij, e gjithë kjo qëndron tek pozita e tyre, pasi që në atë Gjykatë, pozita e shtetit është më e qëndrueshme. “Këndej qëndron edhe fakti se pse nuk kemi dorëheqje, e në e anën tjetër, ata për të cilët aludohet se do të akuzohen, nuk duan të krijojnë përshtypjen se do të akuzohen. Po kështu qëndron edhe një fakt tjetër, përkatësisht interesi i atyre që mendohet se do të akuzohen, për të intervenuar rreth lidhjes me pozitë, deri edhe me mjete financiare vetëm që të mos akuzohen. Prandaj mendoj se këtu është edhe fakti i mos dorëheqjes. Mbetet të shohim zhvillimet në të ardhmen”, ka thënë Kelmendi.  Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se të tillët do të përpiqen të mbijetojnë, e të kacavirren nëpër procedura ligjore. “Sot ne jetojmë kohë të çuditshme, sepse tani ka vdekur morali. Moralin e kemi vra ne dhe nuk vlen më, pasi shoqërisë sonë i është hequr e drejta të thotë të mirën apo të keqen. Shoqërisë sonë i është hequr e drejta e të gjykuarit dhe e drejtë të zgjedh atë që do. Sepse në Kosovë çdo gjë emërohet dhe asgjë e askush nuk zgjidhet nga populli. Dhe meqenëse shoqërisë i është hequr e drejta të thotë mirë apo keq, të gjykojë në bazë të moralit, atëherë u vra morali dhe sot thuhet e ligjshme ose e paligjshme”, ka thënë analisti politik Shahu. Më tej, ai ka vlerësuar se të ligjshmen ose të paligjshmen e vendos gjykata e në realitet gjykatat nuk kanë fuqinë e shoqërisë, sepse  gjykata gjen diçka të shumta të ligjeve dhe shpall të ligjshëm një veprim ose të paligjshëm. “Në bazë ligjesh të këqija është vjedhur e shkatërruar liria pas luftës në Kosovë, e gjykatat do të vendosin në bazë të atyre ligjeve. Ata që do të përballen në Gjykatë Speciale kanë gjithë të drejtën e ligjit të mbrohen. Por po të gjykohen në bazë të moralit, ata sot do të duhej të ishin në shtëpitë e tyre, jashtë posteve e funksioneve publike”, ka thënë analisti politik Shahu.

Me dosje në poste

Ndryshe njohësi i çështjeve politike Islam Krasniqi ka deklaruar, se kjo është një kulturë e fituar apo edhe e praktikuar, që nga pas lufta, pasi mbi 80% e skenës politike mbajnë mbi dy poste, gjersa në anën tjetër dosjet e tyre, për keq përdorimin e detyrës  zyrtare valëviten nëpër duart e prokurorëve, apo nëpër tavolina të sistemit të drejtësisë.  Sipas tij, edhe drejtësia e ka pjesën e saj të errët, meqë i zgjat procedurat  me vite, saqë përfundojnë edhe mandatet pa përfunduar procesi gjyqësor. “Ka pasur shumë raste të tillë, që kanë mbetur të papërfunduara, siç e kemi rastin e ministrit Ferid Agani, i cili dha dorëheqje për arsye së u ngritën akuza në drejtim të tij,  nga posti që mbajti  derisa të  mbarojë procedura ndaj tij, mirëpo organet e drejtësisë asnjë herë nuk e thirren për të vërtetuar akuzat ndaj tij, ku edhe shumë raste tjera të ngjashëm nga  misioni i EULEX-it, ku ngjashëm do të vepronin edhe Gjykata Speciale. Dhe nëse dhanë dorëheqje personat emrat e të cilëve lakohen nga Gjykata Speciale, atëherë do të digjen politikisht dhe asgjë tjetër,  tek e  fundit deri sa nuk shpallen fajtor, janë të pa fajshëm”, ka thënë Krasniqi.  Ndryshe politologu Kushtrim Kadriu, ka thënë se në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me fshehjen e tyre, por mendoj se nuk është e logjikshme që ende pa u ngritur aktakuza të dorë hiqet ndonjë i përfolur i rastit. Sipas tij në rast se veç ngritët aktakuza atëherë është në moralin e tyre se a duan të dore hiqen apo jo.

“ Megjithatë ligji po i lejon të tillët që të mbajnë funksion gjerë në shpalljen e tyre fajtorë, meqë ata po konsiderohen gjerë në atë vendim të pa fajshëm”, ka thënë politologu Kadriu.Kurse sipas analistit politik Blerim Burjanit, këto dorëheqje do të ndodhin patjetër në vitin 2017. Ai ka vlerësuar se pritet vetëm ngritja e aktakuzave ndaj një numri të njerëzve nga të gjitha subjektet politike. “ Jam i sigurt se do  të atakon të gjitha subjektet politike dhe sa i përket pozitës edhe opozitës ky vit do të jetë sfiduese për skenën politike në vend, pasi një gjykatë ndërkombëtare do të tentojë të zbardhë të gjitha rastet e dyshimta. Pra kjo gjykatë do të veproj si gjykata hibride që përgjatë proceseve te hetimit dhe gjykimit të nxjerr  diçka  që ka mundur të ndodhë. Pra nuk do të ketë procese gjyqësore pa adresë, por duke kërkuar fakte përgjatë proceseve”, ka thënë Burjani. Sipas tij, viti 2017 do të  jetë vit i sfidës për skenën politike në vend sidomos për PDK-në dhe partitë opozitare. “Ende zyrtarisht nuk ka informata përveç raportit të Dick Martit, megjithatë ka tentativë që kjo Gjykatë të merr njerëz që ishin më parë të trajtuar nga gjykatat”, është shprehur Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat