Avokati i Popullit: Rryma e serbëve të veriut mos të paguhet nga të tjerët

Aktuale

Avokati i Popullit: Rryma e serbëve të veriut mos të paguhet nga të tjerët

Më: 13 qershor 2017 Në ora: 15:09
KEDS

Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime lidhur me faturimin që iu bëhet qytetarëve të Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar në veri të vendit.

Pas konfirmimit  që Avokati i Popullit ka marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që energjia e shpenzuar në veri u faturohet qytetarëve në pjesët tjera të vendit, si dhe pas komunikimit me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, respektivisht Departamentit të Energjisë dhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, lidhur me çështjen në fjalë, ka konstatuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi që e rregullojnë sektorin e energjisë elektrike, si dhe në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

 Po ashtu, me këto veprime cenohen edhe dispozitat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë me të drejtën për të mos u diskriminuar dhe të drejtën pronësore.

 Avokati i Popullit ka rekomanduar që: ZRRE urgjentisht të ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit;

 Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe KEDS-in, të gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit;

 ZRRE-ja, në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, të nxjerrë një vendim, me anë të të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët, padrejtësisht, janë faturuar, dhe vazhdojnë të faturohen, për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.

 Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, u është përcjellë sot autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti do t'i përcillet Qeverisë që do të dal nga zgjedhjet e fundit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat