Albin Kurti i jep leksion Ramush Haradinajt

Aktuale

Albin Kurti i jep leksion Ramush Haradinajt

Nga: Drilon Rrahmani Më: 22 gusht 2018 Në ora: 21:56
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, pasi sipas tij, ai nuk i bën nder vendit tonë.

“Një Kryeministër i këtillë sikurse edhe një Kryeprokuror i atillë nuk i bëjnë nder vendit tonë dhe i bëjnë dëm shtetin tonë”.

Kurti thotë se është detyrë qytetare dhe obligim politik të kërkohet dorëheqja e Ramush Haradinajt, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë:

“Nëse qeveria bëhet shkelëse e ligjit, ajo ushqen përbuzje për ligjin. Në këtë mënyrë qeveria i bën ftesë secilit person që të bëhet ligj më vete. Fton anarkinë.” (Gjykata Supreme në rastin Olmstead v. United States (1928))

Shteti i kapur është krizë ligjore. Amullia e qeverisë kosovare është vetë kjo qeveri. Ajo pengon sundimin e ligjit dhe çliron serinë e skandaleve. Së fundmi, kemi dorëheqjen e Prokurorit Blakaj, të kërcënuar nga kryeministri.

Kryeprokurori i Shtetit u diskreditua. Me atë që e tha (për vartësin e vet) pas asaj që nuk e bëri (për qytetarët e vendit). Ai është dashur të shkarkohet menjëherë (me propozimin e KPK dhe vendimin e Presidentit ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës në Nenin 84 pika 17).

Kryeministri i vendit është personi i cili duhet të administrojë dhe udhëheqë procesin e adresimit të së kaluarës, të krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, të krimeve të agresionit e të gjenocidit.

Ai do duhej të kishte ndjeshmëri të thellë dhe përgjegjësi të lartë e t’u japë rëndësi të gjitha viktimave të luftës – qofshin ato civile apo jo. Mirëpo ky Kryeministër bëri të kundërtën duke ofenduar dhe poshtëruar viktimat civile të deportimit. Kjo është e papranueshme. Dhe, Kryeministri na e sulmoi argumentin kryesor të popullit dhe shtetit tonë karshi Serbisë. Është detyrë qytetare dhe obligim politik të kërkohet dorëheqja e Ramush Haradinajt. Është e drejtë institucionale dhe nevojë shtetërore të shkarkohet ai.

Një Kryeministër i këtillë sikurse edhe një Kryeprokuror i atillë nuk i bëjnë nder vendit tonë dhe i bëjnë dëm shtetin tonë.

Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjidhur problemet në sistem. Ai duhet pastruar nga matrapazët dhe duhet pasuruar me energji të re. Prandaj, duhet ndryshuar legjislacionin aktual të prokurorisë i cili pamundëson qasjen e personave të cilët nuk kanë kaluar disa vite nëpër të njëjtin sistem të kalbur.

Nuk duhet të merremi vetëm me politikanë të korruptuar. Është koha të pastrojmë vendin si nga prokurorët e dobët po ashtu edhe nga prokurorët e ligë, nga gjyqtarët e korruptuar dhe nga avokatët e pazotë. E pastaj, jo vetëm qeveria e re, por asnjë qeveri e ardhshme s'do të jetë kurrë më si këto të vjetrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat