Thaçi: Policët e involvuar në krime nuk duhet të veshin uniformën e shenjtë

Aktuale

Thaçi: Policët e involvuar në krime nuk duhet të veshin uniformën e shenjtë

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 12:49
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Në ceremoninë solemne të 19-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka deklaruar se policët që janë të lidhur me krimin të mos kenë mundësi të veshin më uniformat e këtij institucioni.

Ceremonia filloi me një minutë heshtjeje në nderim të 19 zyrtarëve  policorë që kanë humbur jetën në detyrë.

Presidenti Thaçi u shpreh se ndonëse Policia e Kosovës  ka shënuar progres, ata së bashku me të gjitha institucionet duhet të punojnë në luftimin e dukurive negative në vend.

Sipas tij, institucionet duhet të tregohen të pa kompromis në luftimin e dhunës ndaj gruas, duke u shprehur se ky do të jetë edhe një ndër prioritetet e tij në të ardhmen.

Thaçi: Policët e involvuar nuk duhet të veshin uniformën e shenjtë

“Ne të gjithë duhet të bëjmë shumë  më shumë që policët e involvuar në dukuritë negative apo të lidhur me korrupsionin apo krimin, mos të kenë mundësinë asnjëherë të veshin këtë uniformë të shenjtë. E posaçërisht ne duhet të bëjmë shumë më shumë për mbrojtjen e jetës së gruas...Gruaja fatkeqësisht i nënshtrohet dhunës verbale e fizike por ajo që e bënë dallimin është mënyra se si reagojnë institucionet, mënyra se si reagon shoqëria. Jam i tmerruar me numrit e raportuar të dhunës ndaj gruas. Unë dua të jemi edhe vetëkritik edhe unë është dashur të bëjë më shumë në këtë drejtim me përgjegjësitë që kam pasur më herët dhe që kam dhe zotohemi që zotimi i këtij fenomeni do të jetë një nga prioritet e mija dhe të institucioneve të vendit”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë ceremonisë për nder të 19 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës u shpreh se nëse Kosova anëtarësohet në Interpol, humb veç krimi transnacional.

Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se  Policia e Kosovës i takon të gjithëve pasi të gjitha vendet ndërkombëtare kanë ndihmuar në formimin e këtij institucioni.

Tutje ai ka thënë se për 19 vite pjesëtarët e Policisë së Kosovës çdo ditë përballen me sfida të shumta, por ia kanë dalë mbanë.

Haradinaj: Nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk humb askush

“Iu siguroj që edhe kërkesa e Kosovës me u anëtarësua në Interpol e ka një motiv shumë të shenjtë, dëshirojmë me qenë bashkë me ju, me të gjithë popujt e lirë, me të gjitha vendet e lira, me të gjitha ju institucionet  rendit dhe ligjit në botë që bashkë pra bashkë edhe ne të ndihmojmë. Nëse Kosova anëtarësohet në Interpol këtë vit kush humb, askush nuk humb, vetëm krimi trans-nacional, nuk do të humbë dikush tjetër. Është gabim për Republikën e Serbisë me mbajt pozicion kundër që Kosova të jetë anëtare e Interpolit, është gabim sepse ne jemi fqinj jetojmë afër do ta shfrytëzon krimi trans-nacional pikërisht këtë mungesë. Është gabim për krejt vendet e botës çmos e ftua Kosovën me e ndihmua sa më shpejt me u bë anëtare e Interpolit në mënyrë që të jemi komplet”, tha Haradinaj.

Drejtori i sapo zgjedhur i  Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj  u shpreh se Policia e Kosovës është e gatshme të jetë pjesë e Interpolit dhe Europolit.

Ai duke folur për progresin që për 19 vite ka arritur ky institucion tha se kjo polici duke respektuar parimet e saj ka arritur të jetë profesionale.

Qalaj: Mirëpresim ndihmën e ndërkombëtarëve për anëtarësim në Interpol

“Jemi duke punuar ngushtë me autoritetet vendore dhe partnerët  ndërkombëtar drejtë anëtarësimit në organizmat ndërkombëtar të sigurisë si Interpoli dhe Europoli. Mirëpresim ndihmën e miqve dhe kolegëve ndërkombëtar që të prodhojnë mundësitë e tyre në drejtim të lobimit dhe përkrahjes së Kosovës për anëtarësim në këto organizata. Ne po zhvillohemi konfrom nevojave dhe sfidave të brendshme dhe globale”, u shpreh ai.

Duke folur rreth të arriturave të Policisë së Kosovës, Qalaj tha se me përkushtim janë angazhuar për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, përdorimin e narkotikëve, krimin kufitar si dhe kanë ulur rrezikun në trafik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi u shpreh se krahas sfidave të shumta Policia e Kosovës ka arritur të bëhet forcë moderne policore.

Gashi si ministër u shpreh i gatshëm që të ofrojë mbështetje për ngritjen profesionale të Policisë së Kosovës.

Gashi: Policia ka arritur të bëhet forcë moderne

“Policia e Kosovës ka arritur me sukses të plotë të bëhet një forcë moderne policore, e cila kryen punën e saj duke bashkërenduar më së miri zbatimin e ligjit, udhëheqjen nga parimet e demokracisë, aftësitë profesionale dhe vlerat morale, vetjake dhe qytetarëve të punonjësve të saj. Në këto rreth 20 vite që kanë kaluar do të doja të sjell në vëmendjen tuaj se Policia e Kosovës ka kaluar nëpër sfida të ndryshme duke arritur të mbroj me sukses rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, qetësinë publike dhe sigurinë e jetës dhe të pronës së qytetarëve të saj”, tha ministri Gashi.

Në këtë  ceremoni solemne u graduan 57 kapitenë, katër majorë dhe 5 nënkolonelë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësdrejtori i Malit të Zi, Senegalit, Bregu të Fildishtë, Kosta Rikës, Panamasë etj.

Thaçi: Policët e lidhur me krimin mos ta mbajnë uniformën

Në ceremoninë solemne me rastin e 19 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha deklaruar se policët e lidhur me krimin të mos lejohen të mbajnë uniformën e shenjtë policore.

Sipas tij Policia e Kosovës ka pasur progres por që duhet të punojnë të gjithë më shumë për luftimin e të gjitha dukurive negative në vend.

Kreu i vendit duke u shprehur i tmerruar për numrin e rasteve të dhunës në familje ka kërkuar që policia s në bashkëpunim me institucionet  tjera të jenë të pakompromis në luftimin e kësaj dukurie.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se policët e Kosovës çdo ditë që kalon janë më të zotë në mbrojtjen e rendit dhe ligjit ne vend. Sipas tij nga anëtarësimin i Kosovës në Interpol nuk humb askush por vetëm ndihmohet luftimi i krimit transnacional.

Sipas tij vota kundër e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol është gabim.

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj u shpreh se Policia e Kosovës është e gatshme të jetë pjesë e Interpolit dhe Europolit. Ai duke folur për progresin që për 19 vite i ka arritur ky institucion tha se kjo Polici në bazë parimeve të saj ka arritur të jetë profesionale.

Gjatë kësaj ceremonie solemne për 19 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës u graduan 57 kapitenë, katër majorë dhe 5 nënkolonelë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat