LDK së shpejti me mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë - Bota Sot
LDK së shpejti me mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale

LDK së shpejti me mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 14:02
Takimi i LDK-se

(E plotësuar) - Pas takimit të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me Grupin Parlamentar, me ç’rast u diskutua për gjetjen e një rruge të përbashkët për rrëzimin e qeverisë, është takuar Kryesia e LDK-së.

“Çështja e dialogut mbetet temë kryesore e kryesisë së LDK-së, me ç’rast u formua një grup punues për Platformën e dialogut, e cila jep korniza të qarta se si duhet të vazhdohet me dialog”, thuhet në një komunikatë nga LDK.

Siç thuhet në komunikatë gjatë takimit të Kryesisë u formua edhe një grup punues, i cili do të punojë rreth platformës zgjedhore.

LDK-ja mbetet e përkushtuar që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje dhe të përmbushen të gjitha interesat e qytetarëve të Kosovës.

***

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka deklaruar se nuk janë larg mocionit të mosbesimit për rrëzim të Qeverisë me qëllim që vendin sa më shpejt ta dërgojnë drejt zgjedhjeve.

Këto komente Veliu i bëri pas takimit që zhvilloi  kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me anëtarët e  grupit parlamentar të partisë së tij.

Veliu beson se do gjejnë përkrahje për rrëzimin e Qeverisë edhe nga partitë brenda koalicionit qeverisës.

Veliu: Do përgatisim një mocion për rrëzim të Qeverisë

“Është një disponim i mirë i të gjitha organeve dhe mekanizmave të LDK-së që të punojmë bashkërisht drejt rrëzimit të kësaj Qeverie sa më shpejt që është e mundur. Ne do të punojmë sigurisht edhe me subjektet tjera politike në mënyrë që ta përgatisim edhe një mocion sa më shpejt edhe vendin ta qojmë kah zgjedhjet për arsye se ju e dini se qëndrimi i Lidhjes Demokratike konsistent gati prej fillimit të vitit është që vendi është në krizë edhe politike edhe institucionale. Ne jemi në konsultim edhe me subjektet tjera politike nuk jemi larg këtij qëllimi, por na duhet edhe pak kohë këtyre ditëve të punojmë në mënyrë që t’i definojmë të gjitha çështjet”, tha Veliu.

Nënkryetari i LDK-së e ka ripërsëritur se nuk do marrin pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, duke mos e përjashtuar mundësinë për organizimin e protestave.

Veliu: Nuk do i përgjigjemi ftesës së VV-së për protesta

“Lidhja Demokratike nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve qoftë edhe nëpërmes protestave, mirëpo ne si Kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti i duhur që ne ta thërrasim anëtarësinë e LDK-së për protesta për arsye se mendojmë se na kanë mbetur edhe dy tri veprime që duhet me u bë brenda institucioneve dhe pastaj për neve është hapi i fundit protesta të cilën nuk e përjashtojnë, por nuk do i përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti  u shpreh se qëndrimi i LDK-së për dialogun me Serbinë është i qartë dhe institucionet e vendit e kanë humbur legjitimitetin për të udhëhequr këtë proces.

Tutje ai u shpreh i bindur se me një bashkërendim të aktiviteteve të të gjithë opozitës mund të ndalen veprimet siç  i quajti ai të “dëmshme” të Qeverisë së Kosovës.

Hoti ka folur edhe për agjendat e  krerëve  të shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke i konsideruar si veprime “mishmash”.

Hoti: Veprimet  e tanishme të Qeverisë janë bërë mish mash

“E kemi përcjell me kujdes sidomos këto veprimet e fundit dhe na vije keq që njëri përfaqësues i institucioneve të vendit, presidenti shkon për të biseduar korrigjim kufijsh e kryeministri shkon për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, këto janë vlerësime dhe veprime mish mash të institucioneve të vendit të cilat duhet të ndalen sa më parë. Unë e kam thënë edhe në disa raste tjera që kjo Qeveri tani është e shpartalluar dhe duhet të bëhemi bashkë si opozitë dhe ne do i bashkërendisim veprimet tona si LDK-së deri në rrëzimin e Qeverisë“ , ka thënë Hoti.

LDK po sot ka mbajtur edhe mbledhjen e Kryesisë e cila është udhëhequr nga kryetari Isa Mustafa.

***

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu ka thënë se do të fillojnë procedurat për të nxjerr një mocion votëbesimi për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas tij bashkë me partitë tjera janë duke biseduar për të marr mbështetje për mocionin.

Madje Veliu thotë se ka përkrahje për ta rrëzuar Qeverinë edhe nga koalicioni qeveritar.

Veliu tha se nuk do ta përkrahin protestën e ftuar nga Vetëvendosje duke thënë se njëherë përnjëherë nuk e shohin të arsyeshme  për protesta.

Këto deklarata Veliu i dha pas mbledhjes që kryetari i LDK-së Isa Mustafa  ka mbajtur me grupin parlamentar të LDK-së.

***

Ka filluar takimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Takimi në fjalë është thirrur nga i pari i LDK-së, Isa Mustafa.

Media ka raportuar gjatë natës së kaluar për thirrje të një takimi të tillë përderisa nuk është bërë e ditur tema e cila do të diskutohet.

Përgjatë kohëve të fundit në LDK ka pasur mospajtime lidhur me çështje të ndryshme në vend. Madje shpesh herë deputetë të shumtë si dhe anëtarë të LDK-së dolën me qëndrimet e tyre të hapura duke u kundërshtuar kështu edhe njëri-tjetrin.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...