FSK-së i bashkohen edhe 16 kadetë të rinj

Aktuale

FSK-së i bashkohen edhe 16 kadetë të rinj

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 12:59
Kadetët e rinj të FSK-së

Forcës së Sigurisë së Kosovës sot iu bashkuan edhe 16 kadetë të rinj. Betimi i gjeneratës së 22-të u bë me një ceremoni solemne në kazermën "Adem Jashari".

Prej këtyre 16 kadetëve, 15 janë nga Kosova, ndërsa një është nga Shqipëria.

Me këtë rast, ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha duke e konsideruar si ditë të veçantë  tha se këta kadetë të rinj po i bashkohen FSK-së në një moment të rëndësishëm kur kjo forcë po merr kompetenca dhe detyra shtesë me ligjet që pritet të miratohen në Kuvend të Kosovës.

Sipas tij rruga për t’u bërë oficer nuk është aspak e lehtë,  por që me shumë angazhim dhe disiplinë ato lehtë do tejkalohen.

Berisha: Ju si gjeneratë po betoheni në një situatë kur FSK po merr kompetenca shtesë

“E di se ju si gjeneratë edhe betimi juaj sot po vjen në një situatë kur Forca e Sigurisë së Kosovës i ka proceduar ligjet për marrjen e kompetencave dhe detyrave shtesë. Dhe këto ligje janë në pritje në një procedurë të rregullt për tu miratuar në parlamentin e Kosovës. Dua të shfrytëzoj rastin që t’i falënderojë partnerët tanë ndërkombëtar për kontributin dhe angazhimin e tyre që në baza ditore po japin dhe vazhdojnë të japin zhvillimit të kësaj force”, tha   Berisha.

Kurse, komandanti i Forcave Tokësore, Enver Cikaqi duke iu drejtuar kadetëve të rinj tha se ata sot po marrin përgjegjësi të reja në shërbim të Kosovës.

Sipas tij Forca e Sigurisë së Kosovës po avancohet dhe këtë progres do të vazhdojë,  derisa kjo forcë të pajiset me infrastrukturë dhe edukim të duhur.

Cikaqi: Kadetët e rinj po marrin obligime të reja

“Betimi që do bëni ju sot kadetët e rinj i obligon me përgjegjësi të reja, ky betim sot iu dallon juve kadet nga moshatarët tjerë dhe iu obligon të keni përkushtim maksimal dhe ju të jepni më të mirën nga vetja në shërbim të institucionit dhe të vendit tonë. Trajnimi që ju do ndiqni do të bëhet në një ambient me një disiplinë të lartë, do jetë mental dhe fizikisht shumë sfidues...19/03 Ju kadetë të rinj po bëheni pjesë e një organizate që është duke ndryshuar dhe do vazhdoj të ndryshoj, përmirësimet që janë duke u bërë në çdo sferë të forcës sonë. Këto përmirësime do vazhdojnë derisa sa të jetë e nevojshme derisa të kemi edukimin, pajisjet dhe infrastrukturën më të mirë të mundur për trupat tanë“, ka deklaruar Cikaqi.

I lumtur që nipi i tij do jetë pjesë e Forcës së Sigurisë dhe Kosovës është edhe Mehmet Sylejmani i cili si mesazh dha që të gjithë të kujdesen për ruajtën e kufijve dhe shtetit të Kosovës.

Sylejmani: Ta ruajmë Kosovën dhe të jemi të afërt me njëri -tjetrin

“Nuk di kënaqësi më të madhe...Jam i interesuar unë për këtë qysh jo sa më të mirë nxënësit e njerëzit që janë të rrugës së drejtë kam qenë me i inkuadruar në këtë drejtim ...Mesazhi jem është që ta ruajmë shtetin ...të jemi sa më aftë , sa më të afërt njëri me tjetrin,mos të shitemi për asgjë, atdheun ta dimë dhe mos ta harrojmë kurrë “, tha Sylejmani.

Ndryshe, Qendra për Studime Universitare në FSK është themeluar si institucion edukativo-arsimor  në vitin 2005 dhe deri më tani  kjo qendër ka rekrutuar 14 gjenerata me radhë, 10 prej tyre kanë diplomuar, kurse katër gjenerata janë në proces të shkollimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat