Nagavci flet për skenarin e nesërm të protestës së Vetëvendosjes

Aktuale

Nagavci flet për skenarin e nesërm të protestës së Vetëvendosjes

Më: 28 shtator 2018 Në ora: 19:43
Arbërie Nagavci

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se kjo parti e ka gati gjithë skenarin për protestën e nesërme që mbahet në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00.

Marshimi do të jetë drejt sheshit “Skëndërbe”, dhe protesta do të jetë paqësore, ka thënë ajo.

Nagavci në ktv tha se kanë mbajtur mbi 250 tubime në qytete të ndryshme të Kosovës.

“Nëse ka ndonjë tendencë nesër në protestë, atëherë ajo është inskenuar nga dikush pra jo nga ne. Ne jemi të përgatitur për protestë paqësore. Jemi takuar edhe me policinë, ata e dinë gjithë skenarin”, tha ajo.

Nagavci tha se kanë parë shqetësim tek qytetarët se nga po shkon fati i Kosovës. “Një numër i madh i personave publikë kanë dalë të interesuar për këtë protestë, madje edhe përfaqësues të sferës akademike, persona të respektuar edhe nga fusha artit e pikturës”, tha tutje ajo.

Ajo tha se LDK-ja, nuk e ka kundërshtuar këtë protestë, madje si Korab Sejdiu, deputet i pavarur, Nagavci tha se kanë marrë konfirmim edhe nga deputetë tjerë që nesër do marrin pjesë në protestë.

Nagavci tha se nuk mund ta dinë saktësisht me shifra se sa do jetë numri i qytetarëve që marrin pjesë në protestë, por pritet të jetë një numër i madh.

“Nuk mund ta mbështesim një person që s’e ka as legjitimitetin, kjo është bërë e qartë. Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu”, tha ajo.

Ajo ka treguar se janë mbi 300 kujdestarë të angazhuar nga LV-ja, që do jenë të gatshëm për mbarëvajtjen e protestës. “Protesta do të jetë paqësore”, tha ajo, duke shtuar se në protestë, ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë, do të ketë madje edhe muzikë.

Deputetja e LV-së, duke folur për bashkëpunimet që tani kanë me LDK-në, thotë se është përpjekje që partitë opozitare të jenë të gatshme për të ndaluar qeverisjen e tashme.

Ajo ka përmendur edhe sondazhin nga KDI-ja, ku mbi 77 për qind të qytetarëve janë kundër ndarjes së territorit të Kosovës.

Ndërkaq, për deklarimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi, ajo tha se ai po ndryshon qëndrimet e deklaratave të tij, e sipas saj, kjo është joprofesionale. Beson, se kundërshtimet e qytetarëve ndaj tij po e bëjnë më shumë që ai të zbutet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat