Thaçi nuk heq dorë: Takon sërish përfaqësues të Kosovës Lindore, u premton se korrigjimi i kufijve ka mundësi reale

Aktuale

Thaçi nuk heq dorë: Takon sërish përfaqësues të Kosovës Lindore, u premton se korrigjimi i kufijve ka mundësi reale

Nga: N.H Më: 9 tetor 2018 Në ora: 18:22
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook njofton se ka takuar personalitet nga fusha të ndryshme nga Kosova Lindore.

Thaçi deklaron se të gjithë bashkëbiseduesve u ka premtuar një gjë që sipas tij do të konfirmohet, mundësinë e korrigjimit të kufijve, me mundësi reale për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovës, përcjell "Bota sot".

“Bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave tona. Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ja postimi i tij i plotë:

Dje dhe sot, kisha kënaqësinë të takoj njerëz të botës akademike, të biznesit, të rinj, studentë, ish-përfaqësues të UÇPMB-së, të diasporës shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, kryesisht nga Lugina e Preshevës.

Bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave tona. Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Me arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi, përparësitë e Kosovës do të jenë: njohja reciproke, njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet anëtare të BE-së, rrugëtimi i sigurt për në NATO dhe BE, si dhe anëtarësimi në OKB.

Të gjithë bashkëbiseduesve u premtova, gjë e cila do të konfirmohet, se në të gjitha takimet e mia në Konferencën e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, do ta diskutoj mundësinë e korrigjimit të kufijve, me mundësi reale për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat