Veseli merr mbështetjen e Senatit belg për integrimet evropiane të Kosovës - Bota Sot
Veseli merr mbështetjen e Senatit belg për integrimet evropiane të Kosovës

Aktuale

Veseli merr mbështetjen e Senatit belg për integrimet evropiane të Kosovës

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 18:44
Kadri Veseli dhe Christine Defraigne

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot në Bruksel kryetaren e Senatit të Belgjikës, Christine Defraigne, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Kryeparlamentari Veseli e njohu homologen belge me angazhimet e institucioneve të Kosovës dhe reformat e ndërmarra në rrugën e integrimit euro-atlantik, reformat në drejtësi, administratë publike dhe veçmas për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Megjithëkëtë, Veseli theksoi nevojën e përkrahjes së shteteve mike, në këtë rast të Belgjikës, për t’i dhënë këtij procesi epilog pozitiv dhe të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, brenda këtij viti.

“Mbretëria e Belgjikës e mbështetë Kosovën në të gjitha proceset integruese dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Në takim me kryetaren e Senatit e njoftova atë se Kosova po vazhdon rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe në rrafshin e brendshëm po bën reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik”, theksoi Veseli.

Kryesenatorja belge, Christine Defraigne, nga ana e saj, i dha mbështetje të plotë kryeparlamentarit Veseli dhe institucioneve të Kosovës në angazhimin dhe punën e tyre për përmbushjen e reformave të nevojshme në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillim më të madh ekonomik.

Ajo konfirmoi mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në të gjitha proceset që lidhen me të ardhmen euro-atlantike dhe të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Të dy homologët u pajtuan se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe Belgjikës mund të avancohet më tej, sidomos në rrafshin ekonomik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera