Kurti e quan akt të dëshpëruar vendimin për taksën 100 përqind

Aktuale

Kurti e quan akt të dëshpëruar vendimin për taksën 100 përqind

Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 11:20
Albn Kurti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur akt dëshpërues vendimin e qeverisë për rritjen e taksës në 100 përqind për produktet serbe, megjithatë, ai beson në efekte pozitive nga kjo taksë.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë një konference për media, ku ndër të tjerash vendimin për rritjen e taksës e quajti vendim ad-hoc. Sipas Kurtit, për të mos lejuar hyrjen e produkteve të Serbisë në Kosovë, ato fillimisht duhet të bojkotohen.

Kurti: Taksa 100 përqind është një akt i dëshpëruar

 

 “Ne besojmë që duhet të priten efekte pozitive nga taksa 100 përqind, ndonëse metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë, e kam fjalën për atë që në vend të reciprocitetit të plotë tregtar politik, ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë që do të vinte nga përcaktimi për integritet dhe dinjitet shtetëror të vendit tonë, është vënë ad-hoc një taksë 100 përqind, e cila është më shumë, le të themi një gjobë taktike apo një akt i dëshpëruar për shkak të sjelljes së Serbisë, sidomos me rastin e mosanëtarësimit të Kosovës në Interpol”, ka thënë Kurti.

Lidhur me deklaratat e ministrit të Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, Kurti ka thënë se në politikën e jashtme karshi Serbisë, Shqipëria duhet të qëndrojë krah Kosovës, por këtu ka përjashtuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Kurti: Karshi Serbisë, Shqipëria duhet ta ndjekë Kosovën

 

“Ne besojmë që Republika e Shqipërisë me politikën e saj të jashtme karshi Serbisë duhet ta ndjekë Kosovën, por këtu më duhet të them, mbase jo presidentin e saj, pra Republika e Shqipërisë në politikën e saj të jashtme karshi Serbisë duhet gjithsesi si masë e përmasë ta ketë republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu ka thënë se Kosova duhet të reciprocitet të plotë karshi Serbisë. 

 Kurti: Marrëdhëniet vëllazërore me Shqipërinë nuk po funksionojnë

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar moszbatimin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara deri më tash mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se nuk na duhet nacionalizëm elektoral, paradë bashkimi e sfiladë qeveritarësh, sa na duhet themelimi i një fryme bashkëpunuese të konkretizuar në institucione të përbashkëta me synim konkret dhe me ndikim sektorial.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë për media, tha se Kosova e Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, memorandume e dakordime në takimet e tyre të përbashkëta por praktika nuk tregon as ndonjë afrim dhe as ndonjë seriozitet të zbatimit.

Kurti: Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë

“Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë nga marrëveshjet për zbatushmëri. Katër vjet më vonë Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë ndonëse Shqipëria i ka hequr ato menjëherë pas nënshkrimit në vitin 2014....gati setcila marrëveshje apo memorandum e ka , pra zotim pa zbatim. Ato zhduken menjherë pas konsumit mediatik Ose flitet për mërgatën e përbashkët, për një diasporë por ku janë qendrat e përbashkëta kulturore, ku është furnizimi me tekste shkollore shqip për mërgatën tonë. Sot Kosova e Shqipëria i shesin njëra tjetrës më së shumti skrap mjete metalike, materiale ndërtimi, çimento e asfalt si dhe tuba e shufra hekuri. Kjo tregti mes nesh tregon sa prapambetjen mes nesh aq edhe mungesën e vizionit për zhvillim në të dyja anët e kufirit”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Shqipëria, sipas tij, kanë probleme edhe në sferën energjetike.

Kurti: Nuk na duhet paradë bashkimi e sfiladë qeveritarësh

“Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen janë së bashku pengë e Serbisë e cila na mban të bashkuar e të bllokuar interkoneksionin 400 kilovotësh, tashmë të ndërtuar. Pra jemi bashkë sepse jemi të dyja peng të Serbisë. Neve nuk na duhet nacionalizëm elektoral as paradë bashkimi e sfiladë qeveritarësh në mbledhjet cermoniale, sa na duhet themelimi i një fryme bashkëpunuese të konkretizuar në institucione e mekanizma të përbashkët me synim konkret dhe me ndikim sektorial. Komisione të përbashkëta qeveritare e parlamentare për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burime të përbashkëta natyrore, pastaj treg i përbashkët për prodhimet, mallrat e shërbimeve dhe biznesin në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përputhje me interesin kombëtar dhe praktikat e bashkimit evropian, mandej treg i përbashkët, dogana të përbashkëta, konsullata e ambasada të përbashkëta, shkolla ushtarake e policore, strate gji zhvillimore të përbashkëta sepse jemi komplementar, përplotësues, program i njësuar arsimor e të tjera”, ka deklaruar Kurti.

Kurse, nënkryetari i parë i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi ka thënë se në mbledhjet e deritanishme të përbashkëta, Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë nënshkruar 50 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi apo dakordime e zotime mes palëve. Por, siç është shprehur, fatkeqësisht pjesa dërmuese e këtyre marrëveshjeve janë harruar që në ditën e nënshkrimit të tyre.

Bislimi: Shumica e marrëveshjeve përmbajnë zotime por asesi afate për implementimin e tyre

“Në pjesën më të madhe marrëveshjet e nënshkruara me Shqipërinë përmbajnë zotime por asesi afate për implementimin e tyre, e as indikator për matjen e progresit drejt afateve të caktuara. Në vend të kësaj pala kosovare është përcaktuar për privatizime në implementimin e marrëveshjeve me Serbinë, duke lënë në plan të dytë apo injoruar komplet ato me Shqipërinë”, ka thënë ai.

Ai përmendi marrëveshjen për lehtësim të qasje në tregun e punës, lehtësim të tregtisë, dakordim të fushës doganore por edhe pas katër viteve nuk ka përmirësim periferik në fushën e bashkëpunimit tregtar në mes dy vendeve.

Kurti: Kosova dhe Shqipëria janë peng i Serbisë, nuk po funksionon asnjë marrëveshje e arritur

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie, ku kryetari Albin Kurti dhe nënkryetari Besnik Bislimi kanë folur për bashkëpunimin dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e ekonomisë, ku sipas tyre këto marrëveshje janë vetëm zotim, por jo edhe zbatim.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë shpie te fuqizimi i ndërsjellët drejt integrimit dhe bashkimit nw mes dy vendeve, por kjo nuk po ndodh për shkak të mos zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mes dy vendeve që nga viti 2014.

“Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në takimet e tyre të përbashkëta që mbahen një apo dy herë në vit, problemi është se në asnjë faqe zyrtare të dy qeverive këto marrëveshje nuk janë të publikuara të plota dhe nuk janë sjell në Kuvend për njoftim që nga 2014”, tha Kurti.

Kurti tha se deputetet, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kishin bërë kërkesë për të u qasur në këto marrëveshje, por Ministria e Punëve të Jashtme pas një kohë i kishte kthyer përgjigje negative, që nuk i posedojnë.

“Deputetet, Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli kanë bërë kërkesë mirëpo MPJ dhe qeveria nuk ka pasur përgjigje me shkrim, në kërkesën e administratës së komisionit për qeveri përgjigja në pranverë të këtij viti ka qenë, nuk i kemi. Ndonëse këto marrëveshje janë quajtur ndërkombëtare, karakteristikë e tyre është se asnjëherë nuk e kanë marrë atë karakter me cilësi zbatuese”, tha Kurti.

“Sado që nënshkruhen marrëveshjet nga pikëpamja e zbatueshmërisë të dy vendeve, të dy ligjeve përkatëse për marrëveshje ndërkombëtare këto marrëveshje në rendin juridik janë në shkallën më të ulët, praktikisht siç e shohim ato nuk është e thënë të zbatohen dhe as nuk ka ndonjë mekanizëm që e bën detyrim te zbatohen”, tha ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar as marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit shqiptarë.

“Marrëdhëniet vëllazërore nuk po funksionojnë në asnjë marrëveshje, 4 vjet më vonë Kosova ende nuk e ka zbatuar marrëveshjen për heqjen e lejeve të punës për shtetasit e Shqipërisë edhe pse Shqipëria i ka hequr ato menjëherë, qeveria e Kosovës kane thënë që duhet ndryshuar ligji për të huajt në Kosovë dhe ligji u ndryshua por kjo marrëveshje asnjëherë nuk u zbatua”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova dhe Shqipëria janë bërë peng i Serbisë, ndërsa taksën 100% e vendosur për produktet serbe Kurti e cilëson si akt të dëshpëruar ndaj mos anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

“Kosova e Shqipëria nuk po bashkohen, por janë peng i Serbisë e cila të dyja po na mban të bashkuar dhe të bllokuar inerkoneksionin 400kw tashmë të ndërtuar, jemi bashkë sepse jemi peng të Serbisë”, tha ai.

“Duhet pritur efekte pozitive nga taksa 100%, metoda nuk është adekuate dhe përgatitjet mungojnë, e kam fjalën për atë se në vend të reciprocitetit të plotë tregtar, politik, ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë që do vinte nga përcaktimi për integritet dhe dinjitet shtetëror i vendit tonë, është vënë një taksë që është më shumë një gjobë taktike, apo një akt i dëshpëruar i nënshtruar për shkak të sjelljes së Serbisë me rastin e mosanëtarësimt në Interpol”, tha ai.

“Ne jemi një komb me dy shtete, nuk mund te kemi dy politika karshi Serbisë”, tha Kurti.

Nënkryetari i VV, Besnik Bislimi tha se marrëveshjet mes këtyre dy vendeve janë të harruara.

“50 marrëveshje mes dy palëve, 14 memorandume dhe 3 zotime të fushës së ekonomisë, secila nga marrëveshje është e veçantë në integrimin e vazhdueshëm të ekonomive tona, fatkeqësisht këto marrëveshje janë harruar dhe asnjëra nuk ka kaluar në parlament dhe nuk gjenden ne data baza dhe në faqet online të Kuvendit”, tha Bislimi

“Ne kemi nënshkruar marrëveshje për lehtësim të qasjes, qeveria e Kosovës nuk i ka heq barrierat për qytetarët e Shqipërisë që vijnë të punojnë”, tha ai.

Kurti: Kosova dhe Shqipëria janë peng i Serbisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albn Kurti, përmes një konference për media, ka komentuar rreth bashkëpunimit në mes të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kurti është shprehur së ka dështuar bashkëpunimi në mes këtyre dy vendeve për fajin e dy qeverive. Ka thënë se Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të mbesin peng i Serbisë.

Kreu i VV’së, ka thënë se Kosovën dhe Shqipërinë ende po e mbanë peng Serbia. Kurti shtroi nevojën për bashkëpunim në disa fusha në mes të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kosova dhe Shqipëria janë peng i Serbisë që na mban të bllokuar. Jemi bashkë sepse jemi të dyja peng të Serbisë. Na duhet një frymë bashkëpunuese. Treg i përbashkët. Konsullata të përbashkëta. Shkolla të përbashkëta policore e ushtarake. Program i njësuar arsimor. Dhe, raportim publik për realizimin e marrëveshjeve”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat