Heroi i kthehet vendlindjes, nga aty ku kishte nisur rrugën për liri

Aktuale

Heroi i kthehet vendlindjes, nga aty ku kishte nisur rrugën për liri

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 15:24
Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj rivarrosen në varrezat e Dëshmorëve

(E plotësuar) - Tërë ditën shiu nuk u ndal. Edhe qielli iu bashkua dhimbjes së familjes së Ilir Konushevcit, prindërve, bashkëshortes, vajzës së vetme Nertilës dhe familjarëve tjerë.

Eshtrat e heroit po kthehen në Prishtinë pas 20 vitesh të rënies. Ai ka rënë dëshmor në majin e vitit 1998 në Tropojë teksa me dëshmorin Hazir Mala po ktheheshin për në Kosovë për të sjellë armët për djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ilir Konushevci ka qenë arteria kryesore e furnizimit me armë për ushtrinë çlirimtare.

Pas 20 vitesh u vendos që trupi i tij të kthehet në atdhe në prag të festës kombëtare 28 Nëntorit.

Image

Bashkë me Hazir Malën, mjekun nga Tropoja ata sot janë rivarrosur në  varrezat e dëshmorëve në lagjen Velani, pranë dëshmorëve tjerë.

Fillimisht u bënë homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe më pas u mbajt një akademi përkujtimore. 

Pas akademisë kortezhi me trupat e dy heronjve nën përcjelljen e forcave të FSK-së u nis drejt vendit ku përjetësisht do të prehen trupat e tyre.

Për të rënët u shkrepën edhe të shtëna nderi nga garda e FSK-së ndërsa flamujt kuq e zi me të cilin ishin mbuluar arkivolet iu dorëzuan familjarëve.

Ilir Konushevci, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit, Adrian Krasniqit, e shumë heronjve tjerë u kthye nga vendi ku kishte nisur rrugën e lirisë. Në Prishtinë.

Image
Image

Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj rivarrosen në varrezat e Dëshmorëve

Me ceremoni të lartë shtetërore është bërë rivarrimi i dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj në varrezat e dëshmorëve në Velani.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nën patronatin e të cilit është bërë edhe rivarrimi, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha.

Në ceremoni morën pjesë familjarë te të dy dëshmorëve, qytetarë të shumtë. Eshtrat e dy heronjve janë rivarrosur 20 vjet pas vrasjes së tyre, dhe deri tani eshtrat e tyre kanë pushuar në Tropojë të Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës janë bërë homazhe, si dhe është mbajtur një akademi përkujtimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat