Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-s, Driton Selmanajt, për akuzat lidhur me ndarjen e vlerës prej 1 milion e 200 mijë euro për organizatën “Let’s do it Kosovo”.
Ai tha se 1 milion e 200 mijë euro do të përdoren për investime kapitale, si: rregullim të parqeve, rregullim të hapësirave gjelbëruese, mbjellje të drunjve etj.
Matoshi: 1.2 milionë euro janë grante të ndara për 5 komunat më të suksesshme
“1.2 milionë euro janë grante të ndara për 5 komunat më të suksesshme në aktivitetin që jemi duke e zhvilluar aktualisht, në fushatën ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Ky premtim dhe ky grant është shpallur më 15 shtator, është paraparë në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit dhe kemi aprovuar kriteret me të cilat do të shpërblehen 5 komunat. Këto 1.2 milionë euro do t’iu jepen komunave drejtpërdrejt në fushën e mjedisit”, tha Matoshi.
Ndërsa deputeti Driton Selmanaj tha se fakti se ky projekt gjendet tek projektet kapitale lë hapësirë për dilema.
Sipas tij, aty kanë munguar sqarime të nevojshme.
Selmanaj: Prapë i kam dilemat e mia
“Unë prapë kam dilemat e mia. Pse ju këtë projekt e keni vendosur tek projektet kapitale, jo te grantet dhe subvencionet”, tha Selmanaj.
Këto debate janë duke u bërë në seancën në të cilën është duke u shqyrtuar projektbuxheti i vitit 2019.