Vetëm 15% e respodentëve duan që Thaçi të udhëheqë dialogun me Serbinë

Aktuale

Vetëm 15% e respodentëve duan që Thaçi të udhëheqë dialogun me Serbinë

Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 13:28
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Debati për kryenegociatorin në dialogun me Serbinë ka shtyrë Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë të realizojë hulumtimin për perceptimet publike, ku vetëm 15 për qind e respodentëve del se vlerësojnë presidentin Hashim Thaçi si prijësin adekuat të dialogut.

Pas tij, renditet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me 11.5 për qind, ndërsa 17.7 për qind thuhet të kenë zgjedhur persona jo-politik, adekuatë për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

Kështu u tha me rastin e prezantimit të këtij raporti “Dekonstruktimi i perceptimeve publike: Politika e Jashtme e Kosovës dhe Dialogu me Serbinë”, ku u tha se fërkimet mes elitës politike në Kosovë, tensionet dhe frika nga përshkallëzimi i mundshëm i situatës në pjesën veriore të vendit, janë renditur si shqetësimet kryesore nga të anketuarit.

Raporti nxjerrë në pah se politika e jashtme e Kosovës varet plotësisht nga rezultatet e dialogut me Serbinë, derisa serbët dhe shqiptarët listojnë njëri-tjetrin si fitimtarë të këtij dialogu.

Drejtori i QKSS-s, Florian Qehaja, tha se hulumtimi nxjerrë në pah faktin se qytetarët kanë pikëpamjet e tyre për partnerët e Kosovës, por edhe për ata që nuk janë partnerë të vendit tonë.

Qehaja: Kosova nuk ka ndonjë perspektivë të qartë euroatlantike

“Në përgjithësi, ka një rritje të antagonizmit të qytetarëve të Kosovës, në raport me bashkësinë ndërkombëtare, ka një qasje selektive në raport me partnerët dhe besoj se kjo është thelluar edhe me fragmentimin e partnerëve në raport me tranzicionin e FSK-së në ushtri, që mendojmë se në këtë rast do të ketë edhe rritje të euro-skepticizmit që në ndërlidhet jo vetëm me fatin se BE komenton për ushtri dhe NATO komenton për ekonomi. Kjo do të thotë se ka një çrregullim nga ky aspekt. Mendojmë që Kosova nuk ka ndonjë perspektivë të qartë euroatlantike përderisa ka një pozicion mjaft regjid nga ana e shumë partnerëve, e që këtë pozicion regjid ne e kemi parë edhe në kontekst të organizatave tjera ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Donika Emini, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, adresoi si problematikë faktin se deri më tani askush nuk ka folur për raportet e Bosnjës me Kosovën.

Nga të gjitha vendet rajonale, Emini tha se Kosova nuk ka aspak marrëdhënie me Serbinë dhe Bosnjën, derisa shtoi se Shqipëria dhe Kroacia janë dy shtetet, të cilat qytetarët e Kosovës i kanë parë si partnere.

Emini: Influenca serbe në Kosovë shumë e rrezikshme

“Influenca e Serbisë është parë si shumë e rrezikshme në Kosovë dhe kjo prapë i atribuohet Listës Serbe me faktin që janë në Qeveri dhe është lënë përshtypja që e gjithë Qeveria dhe funksionimi i saj varet prej Listës Serbe, dhe nëse ata vendosin eventualisht me dalë do të kemi zgjedhje. Fakti që ata janë takuar në Beograd për me marrë vendime që kanë qenë të rëndësishme për Kosovën kanë krijuar përshtypje që influenca e Serbisë veç është rritur në Kosovë”, tha ajo.

Emini tha se nga ky hulumtim del në pah se qytetarët e Kosovës kanë frikë që Asociacioni i komunave serbe do të sillte një skenar të Republika Serbe në Bosnjë, e cila do ta bënte Kosovën jofunksionale në aspektin e brendshëm, si dhe do të ishte problemi më i madh, të cilin as komuniteti ndërkombëtar nuk mund ta zgjidhë. 

Njëherësh, ajo prezantoi edhe rezultat e hulumtimit lidhur më atë se kush duhet t’i japë drejtim këtij dialogu.           

Emini: Vetëm 15 për qind e respodentëve e duan Thaçin udhëheqës të dialogut

“Ndoshta është listuar si i pari, por presidenti Thaçi, ka vetëm 15 për qind nga të gjithë respodentët, duke u përcjellë nga Albin Kurti i Vetëvendosjes me 11.5 për qind. Fakti se kanë listuar lider, e nuk kanë listuar institucione del që qytetarët e Kosovës ende donë ta kenë një lider të fortë, mendojnë që vetëm një lider i fortë mund ta udhëheqë Kosovën në këtë fazë të dialogut. Fakti që kryeministri Haradinaj është përmendur shumë pak, tregon realitetin që ndoshta ai për një kohë vendosi të jetë jashtë procesit”, u shpreh ajo.

Tutje, Emini u shpreh se Kosova ka bashkëpunim më të theksuar me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sipas saj, Gjermania konsiderohet si një nga aletet me të mirë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa siç tha ajo, Rusia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Sa i përket SHBA-së, Emini tha se qytetarët besojnë se involvimi i kësaj të fundit në çështjen e Kosovës mund të zgjidhë problemin me Serbinë.

Për Turqinë, ajo tha se ka pasur një rënie të perceptimit pozitiv, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ndërsa, Agon Maliqi nga Sbunker, tha se dialogu është në duart e Kosovës dhe përcaktues i të ardhmes strategjike të vendit.

Maliqi: Dialogu, përcaktues i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë

“Kosova e sheh veten pro perëndimore por e ka gjithnjë e më të pamundur ta sheh veten si pjesë të BE-s. Dhe dy janë çështje kyçe që do ta përcaktojnë këtë orientim. Një është në duart tona, që është dialogu padyshim, sepse moszgjidhja e problemit me Serbinë, ia bën të pamundur strukturalisht BE-së thellimin e raporteve me Kosovën... Kështu që dialogu  do të jetë përcaktues se si ne do ta shohim raportin me BE-në në të ardhmen. E dyta, është dhe është vetë fati i BE-së, ku po shkon BE-ja”, u shpreh Maliqi.     

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në fjalën e tij vëmendje të posaçme i kushtoi dialogut Kosovë – Serbi, ku tha se pala kosovare nuk ka se kujt t’i adresojë fatin përpos vetes, pasi qysh prej fillimit ka bërë konsensuse të shumta, duke kujtuar se kjo e fundit pati pranuar edhe fusnotën madje.

Ibishi: Fajin e kemi më së shumti vetë

“Fajin e kemi më së shumti vet. Nuk kemi kujt t’ia atribuojmë ose kujt t’i hidhërohemi. Kemi shkuar të papërgatitur me ekipe jo kompetente dhe kemi ardhur në situatën në të cilën jemi. Fatkeqësisht, ne ende nuk po mund të këndellemi në këtë situatë duke shkuar në çështje tjera të ngutshme, të cilat mund të na sjellin pasoja", tha Ibishi.

Ndryshe, hulumtimi ka gjetur se rreth 11 për qind e të anketuarve përgjithësisht e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO, ndërsa perceptimi negativ është i pranishëm kryesisht në mesin e të anketuarve serbë të Kosovës, të cilët e kundërshtojnë fuqishëm integrimin e vendit tonë në Aleancën Veri-Atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat