Deputetët thonë se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje të Kosovës

Aktuale

Deputetët thonë se nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje të Kosovës

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 16:57
Tryeza e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën ‘Çfarë paralajmëron faza e re e dialogut në Kosovë’

Tryeza e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën ‘Çfarë paralajmëron faza e re e dialogut në Kosovë’, që u mbajt sot në Mitrovicë, mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, e mes tyre edhe qytetarë.

Deputetët deklaruan se pa njohjen e vendit tonë, nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se në dialog me Serbinë, Kosova ka humbur që nga fillimi.

Ai përsëriti se rezultati më negativ nga negociatat me Serbinë është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e quajti projekt i rrezikshëm për Kosovën.

Konjufca: Nuk e kemi konceptin e njëjtë me pushtetin

“Konsensusi në lidhje me dialogun që po kërkohet nga ne tashmë ka kaluar në një klishe universale që  zakonisht synojnë ta krijojnë njëfarë lloj ftese të mirësjellshme për disa procese shumë të rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. Mirëpo, unë mendoj se shumë më i rëndësishëm se sa konsensusi është përmbajtja e procesit, sepse nëse nuk pajtohemi me përmbajtjen e procesit nuk ka se si me pas konsensus. Ne me pushtetin politik nuk e kemi konceptin e njëjtë se çka është duke ndodhur dhe ky është problemi më i madh”, tha ai.

Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate, duke folur për paralajmërimin e fazës së re të dialogut, tha se për palën së Kosovës, faza finale nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia.

Gorani: Nuk ka marrëveshje pa njohje

“Për neve, kosovarëve, faza përmbyllëse nënkupton njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë edhe marrëveshja finale, e cila mendohet se duhet të formohet dhe hartohet gjatë procesit negociator mund të vlejë vetëm nëse Kosova njihet si shtet i pavarur e sovran brenda kufijve të vet dhe me këtë i hap rrugë funksionimit normal të saj në skenën ndërkombëtare. Nuk ka marrëveshje pa njohje. Ky është interpretimi i palës kosovare. Interpretimi i palëve tjera çfarë është edhe ajo serbe dhe bashkësia ndërkombëtare, është çështje e tyre. Llogaritet që kjo marrëveshje ë duhet të finalizohet deri në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, përkatësisht maj qershor të 2019”, tha ai.

Për shefin e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetin Ahmet Isufi, baza mbi të cilën duhet të vazhdohet me dialogun është rezoluta e aprovuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Isufi: Jemi në fazën kur duhet të marrim vendime

“Konsideroj se jemi në një fazë kur duhet marrë vendime dhe për të marrë këto vendime duhet që institucionet, por edhe opozita, shoqëria civile, madje edhe qytetarët të kenë një interesim më të theksuar në këtë kohë, sepse duhet që më në fund të merremi vesh që të përfundojmë një proces, i cili është stërzgjatur e që në disa raste në vend se të normalizohen marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë, përkundrazi janë ndërlikuar edhe më shumë. Ne kemi një rezolutë të aprovuar në Kuvendin e Kosovës që bazohet në një ligj, i cili do të aprovohet në Parlament, duke krijuar po ashtu një platformë për delegacionin që u zgjodh në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe kjo besoj se është baza mbi të cilën duhet të vazhdohet më tutje”, tha ai.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, duke komentuar deklaratat e Federica Mogherinit, tha se përfaqësuesja e BE-së ka konsideruar se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës tashmë ka marrë rrugë.

Sipas tij, Kosova për herë të parë do të dalë me një ofertë, në dialogun me Serbinë. E kjo tha se po mundësohet falë rezolutës së miratuar ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, ku u votuan emrat për përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sherifi: Kosova për herë të parë do të dalë me një ofertë

“Unë e kuptoj shqetësimin e Mogherimit se nuk i pëlqen dizajnimi i delegacionit nga Kuvendi i Kosovës, sepse ajo ka konsideruar se projekti i Serbisë për ndarjen e Kosovës tashmë ka marr rrugë, dhe kjo nuk mund të ndalet nga askush dhe tërë kjo ndërhyrje nga Kuvendi përmes krijimit të një delegacioni, rezolutës dhe përmes një ligji, i cili do të jetë shumë shpejtë në duart e deputetëve, Kosova për herë të parë do të dalë me një ofertë që tregon se çka dëshiron. Më vjen mirë që të gjitha partitë politike dhe përfaqësuese të këtij vendi kanë thënë se nuk ka ndarje të Kosovës”, tha ai.

Albert Kinolli, shef i Grupit Parlamentar të 6 plus, tha se duhet të ketë unitet, dhe procesi i dialogut mos të jetë i varur nga një person i vetëm.

Kinolli: Procesi i dialogut mos të jetë i varur nga një person i vetëm

“Për neve është domethënëse që Kosova si shtet të ketë një unitet brenda vetes dhe ky proces të mos jetë i varur vetëm nga një individ, por kemi menduar se bashkimi  bën forcë dhe Kosova ka nevojë për një forcë të tillë para një shteti siç është Serbia”, tha ai.

E qytetarët kërkuan më shumë informacione edhe lidhur me përbërjen dhe funksionimin e ekipit negociator, posaçërisht në raport me rolin e presidentit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës deklaruan në fund se platforma mbi dialogun do të bëhet në konsultim me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe me qytetarët e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat