Arben Fetahu: Jemi dëshmitarë të një atmosfere të mrekullueshme në Rahovec!

Basketboll

Arben Fetahu: Jemi dëshmitarë të një atmosfere të mrekullueshme në Rahovec!

Nga: Kemajl Goca Më: 2 mars 2019 Në ora: 16:02
Arben Fetahu: Jemi dëshmitarë të një atmosfere të mrekullueshme në Rahovec!

Gjatë kësaj jave qyteti i Rahovecit ka qenë kryefjala e sportit të Kosovës! Qytet që për herë të parë u bë me palestër sportive “Mizahir Isma” dhe për herë të parë po zhvillohen garat e nivelit më të lartë shtetëror, Final 8 Kupa e Kosovës në basketboll (meshkuj e femra). Interesimi i shikuesve është rekord, ndërsa të premten në mbrëmje (që e lamë pas) mbi 3 mijë shikues ishin në palestër, në sfidën drithëruese mes Rahovecit dhe Ponte Prizrenit. KB Rahovecit iu është besuar organizimi i kësaj ngjarje të madhe nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ka tejkaluar të gjitha parashikimet si për organizim shembullorë si për shikueshmëri!

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, njeriu i palodhur, me stafin e tij mobilizuan tërë arsenalin si institucion që iu takon dhe në anën tjetër janë të entuziazmuar për atmosferën, organizimin nga ana e Rahovecit. Si e sheh atmosferën Fetahu, po ashtu që vlon qyteti nga shikuesit dhe në anën tjetër, që disa dyshonin në Rahovecin, por në fakt është shembulli më i mirë i një organizimit të përsosur ashtu si i ka hije sportit të basketbollit, një model edhe për sporte tjera në vendin tonë.

“Jemi dëshmitarë të një atmosfere të mrekullueshme, një organizimi të jashtëzakonshëm dhe basketbollit cilësor këtë javë në Rahovec. Jam tejet krenar me vendimin e Bordit të FBK për t'ia deleguar KB Rahovecit organizimin e këtij turneut përfundimtar për trofeun e çmuar të basketbollit tonë.

Në fakt, sivjet organizimi i Final 8 në konkurrencën e meshkujve dhe Kupës së Kosovës ne konkurrencën e femrave përkon edhe me dy organizime tjera të rëndësishme të FBK - Kupën e Ligës së Parë, që organizohet për herë të parë në vend, dhe dy klinika ndërkombëtare për referë nën patronazhin e njeriut të parë të FIBA Europe, z. Davorin Nakiq.

Jam i lumtur që në Rahovec tani gëzojmë një infrastrukturë moderne të cilën do ta shfrytëzojmë për punën me reprezentacione dhe me faktin që kryesia e KB Rahoveci u dëshmua organizatore e jashtëzakonshme falë vetëmohimit dhe punës së palodhshme jo vetëm gjatë kësaj jave por edhe në fazën që i parapriu përfundimit të punëve në këtë sallë.

Image

E meritojnë çdo lëvdatë për këtë spektakël basketbollistik në vendin tonë. Më duhet ta shfrytëzoj këtë rast për ta falënderuar edhe Kryetarin e Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifaj, që besoi në përfundimin e projektit dhe u mbajti premtimin dhe zotimin për të kryer punën në afatin e duhur, dhe Ministrin e KRS, z. Kujtim Gashi, për përmbylljen e këtij projekti pas vitesh zvarritjeje.

Është e vërtetë se kanë qenë të shumtë ata që kanë dyshuar dhe në pakicë ne që kemi besuar në këtë nivel organizimi e spektakli, i cili do të kulmojë sot e nesër me shpalljen e fituesve në tri konkurrencat, kështu që nuk ka si të mos jemi të kënaqur me punën e bërë në organizim nga KB Rahoveci dhe në koordinim e mbikëqyrje nga FBK”, thotë Arben Fetahu për gazetën kombëtare “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat