Teuta bie në finalen e Ligës Ballkanike

Basketboll

Teuta bie në finalen e Ligës Ballkanike

Më: 8 prill 2019 Në ora: 14:56
Teuta

Teuta nuk kaloi dot pengesën e fundit në Ligën Ballkanike të Basketbollit për meshkuj, duke u mundur me rezultatin 82 – 68 në finale nga Blokotehna mbrëmjen e së dielës në Tiranë.

Skuadra nga Maqedonia e Veriut dominoi lojën. Trajneri i durrsakëve Afrim Bilali thotë se ekipi i tij nuk u shfaq i qartë duke fajësuar emocionet.

“U përgatitëm që ta fitonim këtë finale, por sigurisht emocionet nuk arritëm të kalonin dhe ishim shumë konfuzë si në mbrojtje dhe në sulm.”

Basketbollistët e Teutës nuk përfituan as nga mbështetja e publikut. Një sukses i miqve nga Gjevgjelia, pas atyre të arritur në fazën e grupeve ndaj ekipit durrsak.

“Para këtij takimi ishim përballur edhe dy herë të tjera dhe e dinim nga vinte rreziku. Të dy ekipet nuk kishim një kontigjent të madh. Edhe ne shfaqëm lodhjen në çerekun e fundit, por ndeshja u fitua në minutat e para”, tha Marjan Ilievski, trajner i Blokotehnës.

Ky sezon nuk mund të cilësohet një dështim për Teutën, pasi që në debutim mbërriti deri në finalen e Ligës Ballkanike, një objektiv që nuk është arritur më parë nga një ekip i Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat