FBK mbledh basketbollistët e rinj me potencialë, ndihmesë për Përfaqësueset e Kosovës

Basketboll

FBK mbledh basketbollistët e rinj me potencialë, ndihmesë për Përfaqësueset e Kosovës

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 09:55
Ilustrim

Federata e Basketbollit të Kosovës ka filluar projektin e saj të ri të quajtur Qendra Nacionale e Basketbollit, ku janë përzgjedhur lojtarët me potencial për të ardhmen. Aty janë grumbulluar 16 lojtarë të moshave 13-14 vjeç nga e gjithë Kosova. Ata stërviten dy herë në ditë gjatë pesë ditëve të javës në Qendrën Social-Edukativo “Don Bosko” në Prishtinë, kurse në fundjavë luajnë në klubet e tyre. Basketbollistët shihen si ndihmesë për Përfaqësueset e Kosovës, si dhe basketbollin e Kosovës.

Nën udhëheqjen e Arben Krasniqit si drejtor teknik dhe trajnerëve Driton Obërtinca e Valentin Spaqi, këta të rinj janë duke bërë punë intensive dy herë në ditë, e po ashtu janë të angazhuar edhe në ndeshje miqësore si dhe me klubet e tyre përkatëse.

Në një intervistë, trajneri Valentin Spaqi, thotë se kjo nismë e FBK-së është shumë e qëlluar dhe nga këta lojtarë do të nxirret maksimumi, duke shtuar se janë në kërkim dhe në vëzhgim të vazhdueshëm edhe për talente të tjerë në Kosovë.

“Fillimisht kjo është një nismë shumë e qëlluar nga Federata e Basketbollit sepse ne kemi përfshirë të gjithë talentet e Kosovës në një qendër basketbolli, siç është kjo që kemi filluar të punojmë… Çdo fillim, normalisht i ka vështirësitë e veta ku ne si trajnerë duhet të nxjerrim maksimumin nga këta lojtarë dhe normalisht duhet të jemi vazhdimisht në përcjellje edhe të talenteve të tjerë nga Kosova”, tha Spaqi.

Spaqi shtoi se nga puna e madhe që do të bëhet në këtë projekt, synohet që brenda pesë apo gjashtë viteve të ardhshme këta lojtarë të jenë pjesë e Përfaqësueses A të Kosovës.

“Qendra Nacionale e ka këtë punë sepse në vitet e kaluara jemi grumbulluar me lojtarë të gjeneratave të ndryshme nga një javë apo dy dhe kemi shkuar në lojëra të ndryshme kurse këta djem tani e kanë mundësinë të jenë bashkë ndër vite ku plani normalisht një, dy ose tri vite kur janë lojtarët ndër vite dhe gërshetimi i gjeneratave çdo vit… Është një punë që nuk duhet ndërprerë, duhet vazhduar tutje për të pasur një seleksion A në të ardhmen. Për pesë, gjashtë vite të gjithë këta lojtarë duhet të jenë përfaqësues të përfaqësueses tonë”, tha Spaqi

Koordinatori i kësaj qendre, Driton Obërtinca thotë se një organizim i tillë po ndodh për herë të parë në Kosovë. Ai thotë se përkundër disa vështirësive logjistike që i kishin në fillim, tashmë gjithçka është rregulluar dhe se lojtarët po bëjnë stërvitje të plota në baza ditore.

“Për herë të parë në histori të basketbollit kosovar, Federata ka marr përsipër ta organizojë kampin nacional. Këtu janë të përzgjedhur nga e gjithë Kosova, gjenerata U-14, djemtë më të talentuar që kemi menduar se në të ardhmen mund të jenë lojtarë të së ardhmes. Është një hap shumë i qëlluar dhe shpresoj që këtë hap të federatës ta ndjekin edhe klubet e Ligës së Kosovës. Stërvitjet i kemi filluar tash e një muaj, janë duke shkuar shumë mirë. Fillimi është gjithmonë i vështirë, kemi pasur probleme logjistike derisa janë akomoduar lojtarët. Tani jemi më ushtrime të plota, kemi dy herë në ditë stërvitje, për herë të parë moshat e tyre ushtrojnë dy herë në ditë stërvitje, kanë punë individuale në mëngjes dhe në mbrëmje e kanë stërvitjen kryesore”, tha Obërtinca.

Të lumtur me këtë nismë të FBK-së shprehen edhe lojtarët që janë përzgjedhur në këtë grup. Mal Tusuni nuk mund ta përshkruajë ndjenjën që ka pasi është bërë pjesë e këtij grupi, derisa thotë se synon që në të ardhmen të luajë për ekipin e parë të Kosovës

“Është ndjenjë e papërshkrueshme të thirrem ne Qendrën Nacionale nga ekipi i Kosovës ku kemi edhe shokë të rinj, kemi stërvitje e gjëra të reja që i mësojmë… Përmes kësaj stërvitje unë synoj të luaj për Kosovën dhe synoj ndoshta edhe të shkoj në NBA. Fillimi i rrugëtimit të basketit është kjo”, tha Tasuni.

Kurse basketbollisti tjetër Rrezon Elezaj i cili ka një gjatësi prej 2.06 cm, shprehet shumë i lumtur me mënyrën se si po shkojnë stërvitjet në këtë kamp, derisa edhe ai e sheh veten duke luajtur për Kosovën në një të ardhme të afërt.

“Këto ditë janë perfekte, kemi stërvitje dy herë në ditë, stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë, këtu po kalojmë perfekt. Organizimi është perfekt, unë synoj të luaj në të ardhmen për Kombëtaren e Kosovës”, tha Elezaj.

Përpos Malit dhe Rrezonit, pjesë e këtij kampi janë edhe basketbollistët Rrezon Ahmetaj, Edin Baqevac, Lisjan Mula, Lis Sadiku, Yll Kastrati, Ervin Mullaliu, Rijad Ferati, Ben Basha, Sejar Rama, Berkand Shaqiri, Brilant Sallauka, Hannan Çorovic dhe Din Syla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat