Pezullimi i Ligës Unike, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit: Do të riformatohet!

Basketboll

Pezullimi i Ligës Unike, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit: Do të riformatohet!

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 11:10
Avni Ponari

Pas tërheqjes së Tiranës dhe kushteve të vendosura nga Teuta, edicioni i tretë i Ligës Unike në basketbollin e meshkujve për momentin mund të quhet i pezulluar. Këtë e ka konfirmuar vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Kreu i FSHB-së në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ka folur për situatën në eventin mbarëkombëtar, teksa ka bërë të ditur se ky kompeticion do të ketë një riformatim, por që do të vazhdojë normalisht në radhët e femrave.

“Liga Unike vazhdon, por përkohësisht mund të quajmë të pezulluar. Ekipi i Tiranës është tërhequr, ndërsa edhe ekipi i Teutës është në prag të tërheqjes, ose edhe mund të jetë tërhequr.

Kompeticioni do të vazhdojë, pasi kemi edhe Ligën Unike për femra. Liga Unike është e gjerë dhe nuk është vetëm te të rriturit”, shprehet fillimisht Ponari, i cili më tej deklaron se do të kalohet në një format të ri, ndërsa evidenton diferencat financiare mes klubeve në të dyja vendet:

“Ne tani mund të kalojmë në një format të ri të Ligës Unike, në një format që të krijojë mundësi të barabarta, sepse diferenca ndërmjet dy vendeve mbetet të financat.

Unë e vlerësoj shqetësimin e të dyja ekipeve për t’u tërhequr, sepse nivelet janë të ndryshme, veçanërisht ato financiare, të cilat kanë shumë diferenca. Le të shpresojmë për një zgjidhje në këtë aspekt”. Ndërkohë i pyetur nëse mund të vijojë kompeticioni pa Tiranën dhe Teutën, Ponari shprehet:

“Patjetër që po. Liga Unike, siç e thashë, do të ketë një formatim të ri dhe ndoshta nuk do të jetë më me 4 ekipet fituese apo vendet e para, por mund të jetë me skuadrat që shprehin dëshirën për të marrë pjesë.

Mund të jetë vendi i pestë, apo i gjashtë. Ne sot (dje) kemi pasur një takim së bashku me Federatën e Kosovës, kemi biseduar gjerë e gjatë dhe kemi vendosur që të ecim përpara me vajzat dhe për të riformatuar Ligën Unike, ndoshta edhe në nivel moshash edhe sipas kompeticioneve të garave europiane.

Do ta bëjmë këtë deri sa të kemi një barazi financiare mes dy vendeve.

Diferencat në buxhetet e ekipeve janë shumë të mëdha. Kosova ka klube që kanë buxhete nga 600 deri në 1 milionë euro në vit, ndërsa ekipet e Shqipërisë nga 30 deri në 60 mijë euro.

Le të shpresojmë për gjëra më të mira”, përfundon Avni Ponari.

Kujtojmë se në radhët e meshkujve ky ishte sezoni i tretë i Ligës Unike, një event i përbashkët me klube nga Shqipëria dhe Kosova, që rrëzoi kufijtë duke bashkuar të dyja vendet.

Por vështirësitë ishin të madha, kryesisht për ekipet e Shqipërisë, të cilat siç dihet luftojnë për mbijetesë.

Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri mungon një ligj favorizues për sponsorizimet.

Ndërsa ekipet e Kosovës kanë buxhete 10-fish më të larta se ato shqiptare, gjë që është pasqyruar edhe në parket, teksa të gjithë trofetë mbarëkombëtarë kanë shkuar në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat