FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Basketboll

FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 13:27
FIBA lavdëron punën që FBK po e bën për Fuqizimin e Klubeve

Më 21 maj në Vilnius në organizim të Federatës së Basketbollit të Lituanisë dhe FIBA Evropës u organizua Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës për vitin 2021, në të cilën Asamble të pranishëm kanë qenë edhe Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku.

Në Asamblenë e Përgjithshme është raportuar nga krerët më të lartë të FIBA Evropës për punën e bërë në vitin e kaluar dhe për punën e bërë në katër muajt e parë të vitit 2022, ndërsa të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe Presidenti i FIBA Botës, Hamane Niang dhe Sekretari Gjeneral, Andreas Zagklis.

Në fjalimin e tij, Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis e ka theksuar punën që Federata e Basketbollit e Kosovës është duke e bërë në implementimin e Planit Strategjik 2021-2025 duke thënë se është shembull që duhet ndjekur nga organizatat tjera.

Ndërkaq Kamik Novak, Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës në raportin e tij të punës e ka prezantuar punën që FBK është duke e bërë në Fuqizimin e Klubeve, duke i vënë theks të veçantë organizimit të dy seminareve në bashkëpunim me FIBA-n dhe duke e përgëzuar kështu FBK-në për gatishmërinë dhe vullnetin e treguar në zhvillimin dhe fuqizimin e klubeve të saj. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu pas përfundimit të Asamblesë për faqen zyrtare të FBK-së ka deklaruar:

“Sigurisht se jemi të lumtur që në mesin e të gjitha Federatave anëtare të Evropës kemi qenë ne ata që kemi marrë lëvdata për punën që po e bëjmë në implementimin e Planit Strategjik, dhe kjo gjë ne na motivon për të punuar edhe më shumë. Pas përfundimit të finaleve të play-offit do të punojmë edhe më shumë me klubet tona, do t’i takojmë për ti dëgjuar për peripecitë që i kanë pasur gjatë edicionit, si dhe së bashku do të punojmë në atë drejtim që të përmirësohemi dhe të përgatitemi sa më mirë për edicionin e ri”.

Duhet theksuar se numri një i FBK-së dhe Sekretarja e Përgjithshme gjatë qëndrimit në Vilnius kanë pasur takime me krerët më të lartë të FIBA Botës, FIBA Evropës dhe me Federata të ndryshme nacionale ku kanë diskutuar për projekte të ndryshme dhe për zhvillimin e basketbollit në përgjithësi.

Penza, kampione e Kosovës

Penza e ka mundur Prishtinën më 22 prill me rezultat 79:62 (21:18, 14:19, 25:5, 19:20), në ndeshjen e katërt finale të “Play-off”-it të Superligës së Femrave, duke u shpallur kampione e Kosovës dhe mbrojti titullin e fituar edicionin e kaluar. Vashat pejane fituan 3:1 në serinë finale dhe u stolisën me titullin e kampionit. Medaljet e argjendta i kanë ndarë anëtarët e Bordit të FBK-së, Teuta Abdullahu dhe Dardan Kasapolli, kurse medaljet e arta i kanë ndarë Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. Kupën kapitenes së Penzës, Valbona Bytyqi ia dorëzoi kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Festë në Pejë, shpallet kampion i Ligës Unike

Peja ka mundur Golden Eagle Yllin me rezultat 72:87 (19:23, 15:26, 19:20, 19:18), për tu shpallur për herë të parë kampion i Ligës Unike. Në një spektakël të madh të basketbollit, pikërisht në Pejë më 20 e 21 prill, verdhezinjtë arritën trofeun e parë për këtë edicion, duke mundur Yllin, që edicionin e kaluar kishte fituar këtë garë. Spektakli u zhvillua në Pejë. Verdhezinjtë në gjysmëfinale kishin mundur Prizrenin 16, ndërsa therandasit kishin eliminuar Teutën e Durrësit. Vendi i tretë u takoi prizrenasve. MVP është shpallur Dardan Berisha, çmim të cilin ia ndau Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Sekretari i Përgjithshëm i FBSH-së, Korab Llazani. Ndërkohë, trofeun e kupës, Berishës, ia kanë dorëzuar kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe kryetari i Bordit Drejtues të Ligës Unike, Ilir Trebicka.

Kosova për herë të parë pjesëmarrëse në kampin elitar të Evropës dhe Lindjes së Mesme të JR NBA

Kosova për herë të parë ishte pjesëmarrëse në kampin elitar të Evropës dhe Lindjes së Mesme. Përfaqësues nga Kosova ishin Arben Krasniqi, në cilësinë e trajnerit, basketbollistja Malvina Haziri dhe basketbollisti Yll Kastrati. Kampi u zhvillua nga 4 deri më 7 Maj në Stella Azzurra në Romë. Ky kamp përfshiu 60 djem dhe vajza të moshave 13-14 vjeç nga 25 vende nga Evropa dhe Lindja e Mesme, ku aktualisht funksionojnë programet e NBA Jr.

“Ekipa e Zezë” dhe “Deja Vu” fitojnë në turneun selektiv në 3x3

Më 7 maj është zhvilluar turneu selektiv në 3x3, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Te meshkujt, 11 ekipe janë ndarë në katër grupe, me nga tri skuadra, një me dy, kurse më pas janë zhvilluar ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalja e madhe.

Ndeshjet në Margiona Residencë kanë qenë interesante, me aksione të bukura, ndërsa është ndjekur nga një numër i kënaqshëm i tifozëve, që kanë pasur mundësi të shohin sfida interesante në 3x3. Pas shumë përballjeve interesante, është zhvilluar finalja e madhe mes “Ekipa e Zezë” dhe Grapleand, ku “Ekipi i Zezë” shënoi fitore 15:11. Te femrat është zhvilluar finalja ndërmjet “Deja Vu” dhe “Masterpices”, ku ekipi i “Deja Vu” kanë shënuar fitore me rezultat 19:12.

Prej 6 deri më 8 maj u mbajt Seminari i Dytë për klubet e FBK-së

Më 6-7-8 Maj është mbajtur Seminari i Dytë për Klubet, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga klubet e Kosovës.

Seminari ishte treditor, ndërsa qëllimi ishte zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve të basketbollit.

Dita e parë: Ligjëruan ekspertët nga FIBA, Pedro Correia dhe Florian Pasquet me temat Licencimi i Klubeve dhe Qeverisja dhe Menaxhimi Financiar i Ligës.

Dita e Dytë: Ligjëruan Pedro Correia dhe Florian Pasquet me temat: Qeverisja dhe Menaxhimi Financiar i Klubeve dhe Rrugëtimi i Lojtarëve.

Dita e Tretë: Ka ligjëruar Geoff Wilson me temën: Planifikimi Operacional dhe Hapat e Ardhshëm.

Indiana Peacers (Hasan Prishtina-Prishtinë), kampion i parë i JR NBA i Kosovës

Më 21 maj në palestrën “Don Bosko” është mbajtur Final 4 i JR NBA Kosovës, ku janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e madhe. Ky ishte edicioni i parë dhe historik i kësaj gare, që u organizua nga Federata e Basketbollit e Kosovës, një projekt madhor për zhvillimin e talenteve të basketbollit dhe duke iu bashkuar shumë shteteve që e kanë këtë ligë. Në fillim ishin 30 Shkolla Fillore të moshës 11-13 vjeç, djem dhe vajza në një ekip, ku janë ndarë në dy Konferenca, Lindore dhe Perëndimore, apo gjashtë Divizione. Më pas tetë më të mirat e secilës konferencë luajtën në çerekfinale e gjysmëfinale, për të dhuruar katër skuadrat më të mira. Në finale Indiana Peacers ka shënuar fitore ndaj Golden State 53:34, ku pothuajse gjatë gjithë kohës ishte duke udhëhequr. Skuadrat humbëse të gjysmëfinaleve janë stolisur me medaljet e bronzta, vendit të dytë i kanë takuar medaljet e argjendta, kurse vendit të parë, unazat e kampionit.

FBK dhe Policia e Kosovës shënojnë 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të përkrahur nga Komuna e Prishtinës, kanë organizuar turneun në 3x3, për 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë dy ekipe të përzgjedhura nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe dy ekipe nga Policia e Republikës së Kosovës. Ekipet kanë qenë në të dyja konkurrencat, dhe gjatë ndeshjeve ekipet ishin mikse (të përziera), ku rezultati ishte në plan të dytë. Janë zhvilluar dy ndeshje në të dyja konkurrencat dhe më pas finalja. Këtë aktivitet e kanë madhështuar fëmijët e pranishëm, pikërisht për nder të tyre. Fëmijët kanë përcjellur të gjitha ndeshjet, duke i dhënë më shumë jehonë kësaj ngjarje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat