​Fetahu: Dënimi i Mehmetit lajm i keq, tani s’ka të drejtë të arbitrojë as në Kosovë

Basketboll

​Fetahu: Dënimi i Mehmetit lajm i keq, tani s’ka të drejtë të arbitrojë as në Kosovë

Më: 17 qershor 2023 Në ora: 11:15
Arben Fetahu

Të hënën gjyqtari kosovar i basketbollit, Daut Mehmeti, është përjashtuar nga FIBA për shkeljen e Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore të Basketbollit. Ai raportohet se është përfshirë në kurdisje e trukime të disa ndeshjeve në të cilat ishte përcaktuar për ta ndarë drejtësinë.

Këtë vendim të FIBA-s, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu thotë se janë të obliguar që ta zbatojnë në bazë të akteve normative në fuqi.

Fetahu: Jemi të obliguar ta respektojmë vendimin e FIBA-s

“Hetimet lidhur me gjyqtarin Mehmeti janë duke u zhvilluar tash e sa kohë, ai ka qenë në dijeni për këtë, ne kemi qenë në dijeni për këtë. Natyrisht këto japë pjesë të procedurave të cilat nuk bëhen publike dhe për të cilat nuk dilet të flitet publikisht. Vendimi të cilin e ka marr Komisioni Disiplinor i FIBA-s, dhe ajo që quhet gjyqtari i vetëm i FIBA-s, e ka konfirmuar atë për përjashtimin e tij të përhershëm dhe ndalesën e pjesëmarrjes së tij në aktivitete sportive. Ne natyrisht se duhet ta zbatojmë atë vendim, jemi të obliguar dhe në bazë të akteve normative të FIBA-s dhe në bazë të akteve normative tona”, tha Fetahu.

I pari i FBK-së thotë se dënimi i Mehmetit është lajm i keq për basketbollin e Kosovës, por që ata do të bashkëpunojnë me këdo që ndjekë akterët që ndikojnë negativisht në lojën e basketbollit.

Fetahu: Dënimi i lajm i keq për basketbollin vendor

“Është një lajm i keq natyrisht për komunitetin, por është një qëndrim i Federatës së Basketbollit të Kosovës i palëkundur, jo vetëm gjatë mandatit tim, por për gjatë tërë historikut të basketbollit të Kosovës dhe mëvetësimit të tij që çfarëdo qasje e cila do ta dëmtonte integritetin e Federatës së Basketbollit, garave të saja apo akterëve të cilët janë të akredituar nga Federata e Basketbollit të Kosovës për të marr pjesë në çfarëdo kapaciteti në garat dhe strukturat e saj është i pa tolerueshëm dhe ne do të vazhdojmë që me zero telorencë t’i ndjekim të gjithë ata të cilët konsiderohet se kanë pasur çfarëdo ndikimi negativ në integritetin e garës sonë”, ka theksuar Fetahu.

Tutje Fetahu ka bërë të ditur se pas zyrtarizimit të vendimit, nuk ka pasur asnjë kontakt me Daut Mehmetin.

Fetahu: Pas vendimit, nuk kam kontakte me gjyqtarin Mehmeti

“Unë kam pasur komunikim me gjyqtarin para se të merret ky vendim, por nga ai moment e tutje unë nuk kam më komunikim me gjyqtarin. Natyrisht që gjyqtarin ka kohë që e njoh, kemi qenë pjesë e të njëjtit komunitet për sa e sa vite dhe që nuk mund ta injoroj këtë fakt. Unë e kam pritur me shumë keqardhje këtë lajm, më ka ardhur jashtëzakonisht keq që një njëri i cili për aq gjatë ka qenë në basketboll është konfirmuar përfundimisht që ka qenë i përfshirë në çfarëdo formë të manipulimit por te ne nuk mbetet asgjë tjetër veçse t’i zbatojmë ato vendime, prandaj mbetet shumë, apo fare pak hapësirë për të komunikuar me të”, shtoi Fetahu.

Përjashtimi nga ana e FIBA-s për gjyqtarin nënkupton që ai nuk mund të ndajë drejtësinë as një ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll.

Fetahu: Mehmeti nuk mund të referojë as në ndeshjet e Superligës së Kosovës

“Gjyqtari Mehmeti nuk ka referuar ndeshje në Kosovë tash e sa muaj sepse ka qenë nën suspendim. Tani me marrjen e këtij vendimi ne vetëm e ratifikojmë atë vendim dhe ai nuk mund të ndaj drejtësinë në asnjë garë apo nuk mund të ketë kurrfarë funksioni brenda Federatës së Basketbollit të Kosovës në çfarëdo forme sepse i ka tri ose katër ndalesa vendimi, njëra është për mos-referim, tjetra është për mos lejim të mbajtjes çfarëdo funksioni tjetër brenda federatës”, tha në fund Fetahu.

FIBA në fakt kishte nisur hetimet ndaj Daut Mehmetit një vit më parë, ndërkohë që Fetahu ka bërë të ditur se vazhdimisht kanë qenë në kontakt me ta në lidhje me këtë çështje dhe se për këtë janë përgëzuar nga ana e shtëpisë më të madhe të basketbollit në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat