Dushku ndan tregimin e saj me Akademinë e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja

Basketboll

Dushku ndan tregimin e saj me Akademinë e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 19:07
Dushku

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku ka qenë pjesë e panelit në aktivitetin e organizuar nga Misioni i OSCE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) në Kosovë të quajtur Akademia e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja që është mbajtur në hotel Trofta në Istog.

Dushku me këtë rast e ka ndarë me vajzat e reja rrugëtimin në karrierën e saj duke shërbyer si tregim suksesi për vajzat e reja.

Gjithashtu Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së ka folur për qëllimin e veçantë të Federatës në kuadër të Planit Strategjik 2021-2025 e që është "Vajzat dhe Gratë në Basketboll".

Në këtë pikë Dushku dhe vajzat pjesëmarrëse e kanë bërë një bashkëbisedim shumë të frytshëm, ku ato kanë pasur rastin që të njoftohen për së afërmi me punën që FBK e bën për rritjen e numrit të vajzave që merren me basketboll, qëndrimin në basketboll, si dhe mundësinë për ish basketbolliste që të bëhen gjyqtare, trajnere, delegate e administratore të sportit.

Vajzat pjesëmarrëse e kanë falënderuar Dushkun për ndarjen e rrugëtimit të saj me to dhe në njëjtën kohë janë shprehur shumë të motivuara në realizimin e ëndrrave të tyre.

Duhet theksuar se që nga viti 2019, Misioni i OSCE-së në Kosovë ka organizuar  Akademinë e Dialogut Lokal për Vajzat e Reja, e cila bashkon 20 vajza të reja të moshës 16 deri në 19 vjeç nga komunitete të ndryshme të Kosovës. 

Gjatë këtij programi transformues pesë-ditor, pjesëmarrësit angazhohen në aktivitete të ndryshme, duke përfshirë ushtrime për ndërtimin e ekipit, të mësuarit nga bashkëmoshatarët dhe trajnimin ndërveprues të fokusuar në pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe të rejave në proceset publike dhe të politikëbërjes, udhëheqje,  dhe edukimin kritik mediatik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat