Nga arsyet e rikthimit deri te planet e mëdha me Sigal Prishtinën, flet Blerand Stavileci

Basketboll

Nga arsyet e rikthimit deri te planet e mëdha me Sigal Prishtinën, flet Blerand Stavileci

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 12:12
Blerand Stavileci

Për katër vitet e ardhshme, klubi i basketbollit Sigal Prishtina do të drejtohet nga kryetari i ri, Blerand Stavileci.

Në një intervistë për Kp, Stavileci thotë se rikthimi në krye të Prishtinës është një privilegj i madh, derisa zbulon se iu kërkua të rikthehej për shkak se klubi kishte filluar ta marr teposhtën.

Stavileci: Kur Prishtina filloi të futej në krizë, mu kërkua të rikthehem

“Për mua prej vitit 1991, pra pothuajse ¾ të jetës sime ia kam dedikuar këtij sporti dhe këtij klubi edhe disi në momentet kur klubi e mori teposhtën ishte më shumë zëri kritik dhe dëshira e tifozëve tanë ‘Plisave’ dhe një pjese tjetër të një grupi entuziast të dashamirëve që janë rreth klubit, një pjesë e tyre anëtarë të kryesisë, një pjesë që e përcjellin Prishtinën për më shumë se një jetë, që të rikthehem. Kështu që unë e pranova përkohësisht dhe mandej me të përfunduar sezoni kur e kemi parë se ku jemi dhe ky synojmë të jemi, atëherë e vendosëm bashkërisht që unë prapë t’i prij klubit:”, tha Stavileci.

Vetëm 24 orë pasi mori drejtimin e klubit, Stavileci emëroi lituanezin Zydrunas Urbonas si trajner të ri të skuadrës. Kjo zgjedhje, ai thotë se u bë për shkak se tregu vendor nuk ofron trajner kualitativ.

Stavileci: Nuk kemi trajner shqiptar që garanton rezultate elitare

“Në pamundësi ndoshta për t’i pasur në ato nivele ku ne dëshirojmë, dhe këtu nëse ka dikush që mund të më demantojë, do t’ia dija për nder, sepse nuk është që një trajner shqiptar ka arritur për shembull të luajë në Ligën e Kampionëve të FIBA-s, ose ka arritur të luajë në çerekfinale të FIBA Europe Cup... Kemi dashur ta kemi një shkolle e cila është e dëshmuar në basketboll dhe Lituania është një nga vendet e rralla në Evropë ku sporti i basketbollit është sporti numër një në vend edhe ata janë një lloj kombi i basketbollit... Të marrim një trajner i cili i ka ato karakteristika që përkojnë shumë me ambiciet e Prishtinës. E kemi gjetur një të tillë, e kemi identifikuar tek trajneri Zydrunas Urbonas edhe kontakti me të ka qenë i menjëhershëm, por edhe marrëveshja me të ka qenë shumë e shpejtë”, theksoi më tutje Stavileci.

Përveç trajnerit, klubi bardhekaltër deri më tani ka bërë pesë përforcime të reja, tre prej të cilëve janë lojtarë vendorë, të cilët u transferuan pa pasur konsultim me trajnerin e ri dhe kjo u bë për një arsye interesante.

Stavileci: Lojtarët vendorë i morëm pa e pyetur trajnerin

“Mungesa e lojtarëve vendorë neve na ka detyruar gjithmonë që nëse presim derisa të angazhohet një trajner, mund të ndodh që lojtarët vendorë t’i mbledhin të tjerët dhe në këtë rast me mbet jokompetitiv për sa i takon fondit të lojtarëve vendorë. Tek ne kjo është një lloj anomalie në menaxhimin sportiv të klubeve sepse nëse nuk e ke trajnerin, atëherë duhet që menaxhmenti i klubit të ndërmarr veprime... (18:40) Me disa prej tyre kur kemi qenë në negociata me trajnerin, ka rastisur që kemi kërkuar edhe mendim për këta lojtarë dhe ndodhi që trajnerin edhe ta konfirmojmë”, tha Stavileci.

Sa i përket yllit të skuadrës, Dardan Berisha, Stavileci shuan shpresat e të gjitha klubeve të interesuara për të duke thënë se ai është i paprekshëm.

Stavileci: Berisha është i paprekshëm

“E para, Dardani ka kontratë me Prishtinën, siç kanë edhe një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve vendorë që kanë qenë vitin e kaluar. Ne kemi dashur që njëherë t’i mbyllim këta lojtarë dhe pastaj të bisedojmë më secilin për të parë se cili është dhe cili mund të mos jetë në planet e trajnerit... Lojtarët mund të kontaktohen nga secili klub, nga agjentë të ndryshëm, por Dardani ka kontratë për dy sezone me Prishtinën, është kontratë që është nënshkruar vitin e kaluar. Pra Dardani është dhe do të jetë lojtar i Prishtinës... Gjithmonë në klube ka lojtarë që janë të paprekshëm dhe ka lojtarë me të cilët ndoshta mund të bisedohet”, tha Stavileci.

Me të gjitha këto ndryshime të bëra nga trajneri deri tek lojtarët, Stavileci thotë se Sigal Prishtina sezonin e ardhshëm do të luftojë për të gjithë trofetë.

Stavileci: Do të luftojmë për të gjithë trofetë

“Patjetër që Prishtina do të ketë suksese, ne nuk mund të themi tani që do t’i fitojmë të gjitha trofetë e mundshëm. A do të luftojmë për të gjithë trofetë e mundshëm, po se po, a e kemi përvojën dhe historia e lavdishme e klubit na e jep të drejtën në këtë drejtim, po se po, por unë nuk dua të jem arrogant dhe prepotent për të thënë që Prishtina është më e mira dhe do t’i fitojë të gjitha trofetë, absolutisht që jo sepse edhe konkurrenca është rritur. Ne do të luftojmë që Prishtina të jetë një bend edhe më i madh se sa që ka qenë në të kaluarën”, shtoi Stavileci.

Përtej synimeve në aspektin sportiv, Stavileci zbulon edhe tri ndryshimet infrastrukturore që synon t’i bëjë gjatë mandatit të tij në krye të klubit kryeqytetas.

Stavileci: Këto janë tri pikat në të cilat do të bëhen ndryshime te Prishtina

“Nëse unë do të doja ta shihja Prishtinën ndryshe, janë tri dimensione që po i përmendi. Është infrastruktura, ky hyn edhe palestra, ta shohim edhe me komunën dhe institucionet e tjera se çfarë mund të bëjmë. Do të doja që në fund të mandatit tonë, Prishtina ta kishte një palestër, apo të paktën të niste ndërtimi e një palestre e cila do të përdorej vetëm për klubin e basketbollit Sigal Prishtina. E dyta është riorganizimi komplet i shkollës së basketbollit i gjeneratave të reja U18, U16, U14 të minibasketbollit dhe e treta është që klubin tonë duam ta digjitalizojmë, të ofrojmë shërbimet digjitale duke nisur prej uebit të klubit e deri te fan-shopi elektronik”, theksoi ai.

I pari i Sigal Prishtinës në fund i bëri thirrje Federatës së Basketbollit të Kosovës që në sezonin e ri, tifozët të lejohen në palestrat sportive dhe se për rastet e incidenteve të mos merren vendime që prekin të gjithë tifozët, ashtu siç ndodhi gjatë sezonit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat