Vajzat kuqezi shkëlqejnë në debutim ndaj Kosovës

Basketboll

Vajzat kuqezi shkëlqejnë në debutim ndaj Kosovës

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 11:46
Pamje nga ndeshja

Në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” ka ngritur dje siparin Divizioni C i Kampionatit Europian U-18 në basketboll për vajza, me Shqipërinë që vijon kështu traditën disavjeçare në organizimin e eventeve të FIBA-s për moshat. Shtatë përfaqësuese të ndara në dy grupe do të matin forcat për trofeun e këtij divizioni.

Në Grupin A bëjnë pjesë Qipro, Andorra dhe Malta, ndërsa në Grupin B ndodhen Shqipëria, Kosova, Moldavia dhe Armenia. Ndeshja hapëse e aktivitetit ishte ajo ndërmjet Qipros dhe Andorrës, e vlefshme për Grupin A, takim i fituar me rezultatin 50-56 nga vajzat andorrase.

Më tej ishte radha e sfidave në Grupin B, teksa fillimisht zbritën në parket Moldavia dhe Armenia.

Përfaqësuesja armene fitoi me rezultatin e thellë 45-75, duke koleksionuar 2 pikët e para në grup. Në mbrëmje vëmendjen e mori përballja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajnerja Elona Hasanaj, morën një fitore mjaft të bukur në shifrat 45- 63.

Shqipëria e filloi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke bërë një periodë të parë fantastike, e cila do të rezultonte edhe vendimtare për fatet e të gjithë ndeshjes. Kështu 10-minutëshi i parë mbyllet me avantazhin 11-24 të Shqipërisë. Në periodën e dytë dhe të tretë loja është më e ekuilibruar, perioda që u mbyllën në baraspeshë të plotë, respektivisht 10-10 dhe 13- 13, ndërsa pas 30 minutash lojë vajzat kuqezi kryesonin 34-47.

Me gjithë përpjekjet e vajzave të Kosovës, çereku i fundit nuk ndryshon asgjë, pasi është sërish Shqipëria që fiton 11-16, për ta vulosur të gjithë ndeshjen me 18 pikë avantazh.

Lojtarja më e mirë e takimit ishte Brikena Mucenji, autore e 24 pikëve 10 ribaundeve dhe 2 asisteve.

Paraqitje mjaft e mirë në radhët e Shqipërisë edhe nga Anisa Bokrina me 17 pikë, 6 ribaunde dhe 3 asisteve. Dopioshifër pikësh edhe për Anisa Musajën me 11, e cila regjistroi edhe 8 ribaunde e 4 asiste.

Për Kosovën pikëshënuesja më e mirë ishte Malvina Haziri me 15. Kështu Kombëtarja kuqezi e fillon me këmbë të mbarë Divizionin C, ndërsa sot në orën 16:30 do të zbresë në parket për ndeshjen e dytë, ku përballë do të ketë Moldavinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat