Shqipëria dominon edhe ndaj Moldavisë

Basketboll

Shqipëria dominon edhe ndaj Moldavisë

Më: 3 gusht 2023 Në ora: 15:54
Shqipëria

Shqipëria ka shënuar një tjetër fitore bindëse në Divizionin C të Kampionatit Europian U-18 në basketboll për vajza që po mbahet në Durrës.

Vajzat kuqezi kanë shkëlqyer edhe në ditën e dytë të aktivitetit, teksa dje mundën Moldavinë më rezultatin e thellë 82-44 në takimin e vlefshëm për Grupin B.

Një sukses që e kualifikon praktikisht Shqipërinë për në fazën gjysmëfinale të kompeticionit. Ndeshja e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” foli tërësisht për vajzat e drejtuara nga trajnerja Elona Hasanaj, të cilat dominuan në të katërta periodat.

Kombëtarja jonë e nisi me ritëm dhe entuziazëm lojën, për të shpërthyer që në 10-minutëshin e parë, duke fituar thellë 27-5.

Në çerekun e dytë loja ishte disi më e ekuilibruar, periodë e fituar 16-12 nga adoleshentet kuqezi, të cilat shkuan në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 43-17.

Edhe gjysma e dytë e ndeshjes luhet nën diktatin e kombëtares shqiptare, që i fiton dy periodat e radhës 23-16 dhe 16-11, duke vulosur triumfin final me +38 pikë diferencë, për të futur në kasafortë suksesin e dytë në grup.

Anisa Bokrina dhe Brikena Mucenji, me nga 15 pikë secila, ishin shënueset më të mira për Shqipërinë në këtë takim. Kuotë dyshifrore pikësh preku edhe Anisa Musaja me 10.

Për moldavet nuk mjaftoi Avelina Glavan, autore e 30 pikëve. Sot në orën 19:00 vajzat kuqezi do të zbresin në parket për ndeshjen e tyre të tretë në grup, teksa do të kenë përballë Armeninë.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera të ditës së djeshme, Andorra u mund nga Malta me rezultatin 69-86, takim i vlefshëm për Grupin A. Ndërsa në ndeshjen e mbrëmjes në Grupin B, Armenia mposhti Kosovën me rezultatin 73-48.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat