Shqipëria fiton edhe ndaj Armenisë

Basketboll

Shqipëria fiton edhe ndaj Armenisë

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 11:29
Shqipëria

Shqipëria e mbyll në mënyrën më të mirë fazën e grupeve në Divizionin C të Kampionatit Europian U-18 në basketboll për vajza, event që po zhvillohet në pallatin e sportit “Dhimtitraq Goga” në Durrës. 3 fitore në po kaq ndeshje për Kombëtaren e drejtuar nga trajnerja Elona Hasanaj, që renditet kështu në vend të parë me pikë të plota në Grupin B, duke prerë biletën për në gjysmëfinale.

Në ditën e tretë të aktivitetit, vajzat kuqezi mundën dje Armeninë me rezultatin 62-53, në një takim të cilin e komanduan nga fillimi e deri në fund. Shqipëria U-18 e vajzave e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke dominuar tërësisht në periodën e parë, për të kryesuar deri me +14 pikë, ndërsa më pas armenet u afruan disi, me çerekun e parë që përfundoi 23-16.

Në periodën e dytë Armenia provon të reagojë dhe për një moment arrin ti barazojë shifrat në 25-25, me gjysmën e parë të ndeshjes që më pas mbyllet 32-30 për Shqipërinë. Në periodën e tretë kombëtarja jonë luan më mirë, për ta çuar në +5 pikë avantazhin pas 30 minutave lojë.

Fraksioni i fundit i takimit nuk ndryshon asgjë, me Shqipërinë që e administron më së miri epërsinë, për ta vulosur të gjithë sfidën +9 pikë. Lojtarja e ndeshjes u shpall Anisa Bokrina, protagoniste me 26 pikë, 7 ribaunde dhe 3 asiste. Në takimet e tjera të ditës së djeshme, Malta mundi Qipron 58-52 në Grupin A, ndërsa në sfidën tjetër të Grupit B, Kosova triumfoi kundër Moldavisë me rezultatin e thellë 85-61.

Sot skuadrat do të jenë pushim, për tu rikthyer nesër në parket, teksa në gjysmëfinale do të kemi përballjet Maltë-Armeni dhe Shqipëri-Andorrë. Ndërkohë Kosova, Moldavia dhe Qirpo do të luajnë për klasifikimin përfundimtar për vendet 5-7.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat