Tirana bie në Bathore

Basketboll

Tirana bie në Bathore

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 12:34
Pamje nga ndeshja

Pas gjashtë fitoreve radhazi, Tirana ka bërë ndalesën e dytë në kampionat, teksa është mundur mbrëmjen e djeshme nga Kamza me rezultatin 78- 76 (16-21, 21-22, 20-21, 21-12), në një takim tepër emocionues të zhvilluar në palestrën “Halit Coka” të Bathores.

Ashtu sikurse pritej kryendeshja e javës së tetë mes kamzalinjve të Eni Llazanit dhe bardhebluve të Erkand Karajit, rezultoi me shumë rivalitet dhe e luftuar deri në fund. Ndonëse ishte thuajse gjatë të gjithë kohës në avantazh, madje duke u shkëputur deri në +12 pikë, Tiranës i shpëtoi fitorja nga duart, me vendësit që realizuan përmbysjen e madhe në periodën e katërt.

Porter, me dy gjuajtje të lira 4 sekonda nga sirena përfundimtare, shtriu në tapet kampionët, duke fiksuar shifrat finale 78- 76 në favor të vendësve, të cilët patën edhe mbështetje të zjarrtë nga tifozët, duke i dhënë një atmosferë të ndezur palestrës së vogël.

Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi dhe e shtata gjithsej në kampionat për Kamzën, që tashmë e shikon veten në vend të parë në renditje. Për sa u përket paraqitjeve individuale, amerikani Keyes me 14 pikë e 16 kërcime, Tedi Lluka me 19 pikë dhe Xhersido Hajdari me 14 pikë, shkëlqyen në suksesin e Kamzës. Për Tiranën nuk mjaftoi dopieta dyshifrore e Klein Strazimirit, autor i 14 pikëve dhe 10 asistimeve, duke u shtuar edhe 5 kërcime. Davis regjistroi 29 pikë, ndërsa Myles 19.

Bardhebluve në këtë takim u mungoi Endrit Hysangolli, i cili bëri një paraqitje të dobët, duke regjistruar vetëm 2 pikë, 5 kërcime dhe 4 asistime. Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Flamurtari mori një fitore të rëndësishme, teksa mundi në transfertë Elbasanin me rezultatin 79-83 (22-21, 26-20, 16- 23, 15-19). Bregdetaret triumfuan me përmbysje në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, pas një loje interesante.

Verdheblutë kryesuan deri në +16 pikë në gjysmën e periodës së dytë, por nuk mundën që ta ruanin epërsinë, ndërkohë vlonjatet e bënë diferencën në pjesën e dytë të ndeshjes. Uilkins me 38 pikë e 12 kërcime, Mohr me 18 pikë dhe Merkaj me 17 pikë, ishin lojtarët që udhëhoqën Flamurtarin në këtë fitore.

Për Elbasanin nuk shkëlqeu Alban Çela, MVP me 38 pikë, 13 kërcime dhe 2 asistime, shifra këto që mbetet sa për vlerë statistikore. Java e tetë do të kompletohet sot me tri takimet e mbetura, duke nisur nga ora 17:00 me përballjen Teuta-Fieri në Durrës, për të vijuar në orën 18:00 më ndeshjet Partizani-Besëlidhja dhe Vllaznia-Apolonia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat