Stavileci: Basketbolli është sporti më i shikuar në Kosovë

Basketboll

Stavileci: Basketbolli është sporti më i shikuar në Kosovë

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 17:11
Stavileci

Blerand Stavileci ka qenë mysafir i ftuar në emisionin “Majtas jo Djathtas” në T7, ku e ka bërë krahasimin mes futbollit dhe basketbollit në Kosovë.

Kryetari i klubit të basketbollit Sigal Prishtina insiston se sot sporti më i shikuar në Kosovë është basketbolli, përkundër problemeve të ndryshme me palestra.

Ndër të tjera, ish-ministri kosovar foli edhe për faktin që Kosova nuk ka arritur ende ta nxjerr një lojtar që do të luante në NBA, përpos disa lojtarëve që kanë luajtur tashmë në Euroligë.

“Tek ne është njëjtë si në Lituani, ku basketbolli është më i dashtun se futbolli. Zalgirisi arrin suksese në basketboll, ndërsa për futboll ky vend nuk njihet shumë, madje as klubet s’i ka të njohura.

Edhe në Kosovë, në vitet e para të pasluftës, palestrat kanë qenë të mbushura plot. Në Ferizaj, Kastrioti, pastaj në Prishtinë Mabetexi, tutje Vëllaznimi, Bashkimi, Drita, Dukagjini i Pejës. Ishin tetë ekipe të forta dhe me palestrat e mbushura plot”, u shpreh fillimisht ish-basketbollisti.

Basketbolli në Kosovë nuk është e lehtë të organizohet, palestrat janë të amortizuara, ndodh kondensimi, rrezikojnë të lëndohen lojtarët, pikon uji, çatia, gjatë dimrit palestrat i ke të ftohta.

Me miqtë jemi angazhuar në mënyra të ndryshme për ta ngrohur palestrën, s’mund ta besoni se me çfarë sfidash jemi përballur. Por, ishte dashuria, pasioni që na kanë mbajtur. Për këtë, basketbolli është sporti më i shikuar në vendin tonë”, nënvizoi ai.

 “Kohëve të fundit është rikthyer shikueshmëria, ke ekipe si Vëllaznimi, Prizreni.

Po ta kishte Istogu palestrën si duhet, pasi ka probleme në këtë drejtim, do të ishte njëri prej ekipeve më simpatike, siç e kishim një ditë Rahovecin.

Njerëzit po jetojnë për këtë sport. Unë jam për krejt sportet, bile-bile ndoshta nganjëherë futbollin e dua më shumë pasi ka qenë dashnia e parë, qysh është për shumicën e fëmijëve”, thotë tutje Stavileci.

“Por, mendoj se basketbolli i ka disa elemente, veçori, me të cilat shumë lehtë mund të arrihen sukseset. Por, nevojitet investim në infrastrukturë, sidomos në kuadrin profesional, përgatitjet fizike, trajnimi mendor, nutricionizmi, pjesa e të ushqyerit, kompensimi pas lodhjeve. Nëse punohet në këto drejtime, mund të mbërrijmë shumë. Këto tetë ekipe elitare që i kemi, me kryesitë dhe investimet, kanë avancuar shumë”, shprehet kreu i klubit të basketbollit kryeqytetas.

“Fakti që nuk e kemi një lojtar në NBA, tregon shumë. I kishim disa lojtarë në Euroligë. Kemi më shumë gishta se që kemi lojtarë që kanë qenë në nivele të larta, nuk e kemi asnjë që ka luajtur në NBA. Për të mbërri deri këtu, është një punë shumë e madhe. Në këto vite që kanë shkuar, i kemi shtruar disa shtresa.

Duhen vepra konkrete: infrastruktura, trajnerët, investimet që bëhen, shkollat, dhe shumëçka tjetër si mjekësia sportive, përgatitja fizike, atletike, kondicionale, të fuqisë etj,. Në këto drejtime ia vlen të investojmë sepse këto investime kthehen më së miri tek sportistët”, përfundoi Stavileci..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat