Besëlidhja e mbyll fazën e parë e pamposhtur

Basketboll

Besëlidhja e mbyll fazën e parë e pamposhtur

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 21:11
Pamje nga një ndeshje

Janë luajtur ndeshjet e javës së 11-të të Superligës në basketboll për meshkuj, ku spikat fitorja 96-88 e Besëlidhjes ndaj Tiranës. Dy ekipet finaliste të sezonit të kaluar u përballën në “Fahrie Hoti”, në një ndeshje të ekuilibruar.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 42-42, por më tej lezhjanët shkëputen dhe fitojnë 96-88, ku pesë lojtarë realizuan mbi 10 pikë (Weeks 25 pikë e 15 rebound). Për Tiranën, Hysenagolli realizoi 32 pikë e 16 rebound, por që mbetën për statistikë.

Rikthehet te fitorja pas një kohe të gjatë Partizani, që mundi 98-67 debutuesit e Fieri Basket. Ndeshje e komanduar nga skuadra kryeqytetase, ku diferencën e bënë Gjore e Major, me nga 19 pikë secili. Pa probleme fiton Apolonia, që mundi 111-75 Skënderbeun e vendit të fundit. Bourne me 21 pikë ishte shënuesi më i mirë për fierakët në këtë sfidë.

Dy pikë të rëndësishme në renditje merr edhe Vllaznia, që mundi 70-56 Elbasanin, ndeshje e luajtur në Shkodër. Vendasit e komanduan ndeshjen, ku u dallua Tucker, autor i 20 pikëve. Në Durrës, skuadra e Teutës mposhti 102-80 Flamurtarin, duke ruajtur ritmin e ekipeve pretendente për titull (Bacon, 26 pikë e 10 rebound).

Superliga-Meshkuj, java e 11-të

Apolonia – Skënderbeu, 111-75

Partizani – Fieri Basket, 98-67

Tirana – Besëlidhja, 88-96

Vllaznia – Elbasani, 70-56

Teuta – Flamurtari, 102-80

Kamza Basket (pushim)

Renditja: Besëlidhja 20 pikë, Kamza Basket 18 pikë, Tirana 17 pikë, Teuta 17 pikë, Vllaznia 17 pikë, Apolonia 16 pikë, Flamurtari 14 pikë, Elbasani 13 pikë, Partizani 12 pikë, Fieri Basket 11 pikë, Skënderbeu 10 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat