Reagon KB Peja, kritikon Kurshumlijën

Basketboll

Reagon KB Peja, kritikon Kurshumlijën

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 16:12
Pamje nga ndeshja

Klubi i basketbollit Peja reagon përmes një komunikate në lidhje me problemet e fundit që ndodhen në ndeshjen me Sigal Prishtinën.

Cilat ishin problemet?

“Si klub, asnjëherë nuk arsyetojmë hedhjet në palestër dhe jemi kategorikisht kundër kësaj gjëje, për të cilën gjithmonë bëjmë thirrje që mos të ndodh.

Por, po ashtu ka ardhur koha që të reagojmë edhe për disa gjëra tjera.

Fillimisht, do t'i potencojmë gjestet josportive të basketbollistit me nr.9 të KB Prishtinës - i cili në raste të ndryshme, të cilat i pasqyrojmë në videon e mëposhtme, provokon bankën e KB Pejës dhe tifozët në të dy anët, duke kapur organet gjenitale në drejtim të tyre. Për këto, basketbollisti me nr.9 i Sigal Prishtinës u ndëshkua me vetëm një faull teknik, edhe pse gjatë gjithë kohës banka e KB Pejës ia bëri me dije gjyqtarëve të takimit që provokimet e tij josportive mund të dërgojnë deri në eskalimin e situatës.

Për këto gjëra, banka e Pejës u dënua disa herë me gabime teknike pas provokimit të lojtarit në fjalë, që përkundër gjesteve josportive, nuk u ndëshkua nga gjyqtarët e takimit dhe mbeti në ndeshje, kur realisht ishte ai që e nxiti të gjithë situatën.
Gjyqtarët e takimit shumë herë ishin ballë për ballë me gjestet e basketbollistit me nr.9 të Sigal Prishtinës dhe për arsye që nuk mund t'i shpjegojmë vendosën që mos ta ndëshkojnë për veprimet josportive dhe aspak të hijshme.

Së dyti, shpesh herë këtë sezon kemi hasur në hudhje në palestra të ndryshme të vendit - dhe në të gjitha herët, PËRVEÇ të shtunën, është zbrazur pjesa e tribunës nga ku kanë ardhur hudhjet, jo e gjithë salla. Kjo erdhi si pasojë e egos dhe hakmarrjes personale të Komisarit të Garave, Faton Kurshumlija, që shkoi përtej çdo ligji të caktuar nga vet Komisioni i Garave për të zbrazur, për herë të parë këtë edicion - të gjithë sallën.

Iu kërkojmë faljeve të gjithë sponsorëve, personave eminent, dhe tifozëve e dashamirëve nga të gjitha moshat që përcjellën ndeshjen, të cilëve iu desh të largohen për teket dhe egon e shfrenuar të Komandantit Faton. 
Për të njëjtat ndodhi si të shtunën, në ndeshjet e kaluara si Bashkimi - Prishtina, Trepça - Peja dhe Trepça - Prizreni, salla është zbrazur pjesërisht dhe jo e gjitha.

Sa i përket ofendimeve, në çdo palestër këtë vit, përfshirë edhe Superkupën e Kosovës, spikeri zyrtar gjithmonë ka paralajmëruar dhe nëse rasti është përsëritur - atëherë është zbrazur palestra. Përveç të shtunën, kjo gjë nuk ndodhi dhe salla u zbraz pa as edhe një paralajmërim.

Bëjmë apel fuqishëm që gjestet josportive të basketbollistëve që nxisin situata tash e tutje të dënohen, sepse gjithmonë po fajësohet publiku. Po ashtu, kërkojmë trajtim të njëjtë të të gjitha situatave, sepse shpesh-herë po dëmtohemi ndryshe në situata të përsëritura përreth vendit.

Këto gjëra po na dëmtojnë jashtëzakonisht shumë, po ndikojnë që të humbas shikueshmëria dhe vdekjen e ngadaltë të basketbollit. Ka shumë njerëz në palestër që vijnë nga afër të ndjekin ndeshjen me familjarët e tyre - dhe detyrohen të ballafaqohen me gjeste të llojit si këtyre të nr.9 të Sigal Prishtinës dhe përjashtim nga palestra, edhe pse ata kurrë nuk përfshihen në eksese që ndodhin.

KB Peja qëndron fuqishëm në luftën kundër huliganizmit dhe sjelljeve jo korrekte nga ana e tifozëve dhe në vazhdimësi punojmë në rregullimin e tyre me atë se çfarë kemi ne në dorë, por rregullat absurde të vendosura nga Bordi i Federatës duhet të rishikohen dhe të rimendohen para se basketbollit të vdesë”, reagon KB Peja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat