“Mbreti i basketbollit” është në maja edhe në “pleqëri”

Basketboll

“Mbreti i basketbollit” është në maja edhe në “pleqëri”

Më: 30 dhjetor 2023 Në ora: 18:24
LeBron James

Kur ai debutoi në NBA, supertalentit të sotëm Wembanyama i duheshin edhe 67 ditë për të lindur.

Kështu e nis e përditshmja spanjolle “Marca”, ditirambin e saj për legjendën e gjallë të basketbollit, LeBron James.

Kjo sepse këtë të shtunë të 30 dhjetorit, i mbiquajturi “Mbreti” mbushi 39 vjeç.

I veçanti që konkurron me Michael Jordan për të qenë më i miri i të gjitha kohëve, mbetet në nivele vërtet “qiellore”, thuajse njësoj me “yjet” e sotëm që duken sikur janë djemtë e tij.

Pas 20 vitesh në basketbollin amerikan, ai ka fituar “pavdekshmërinë”.

LeBron është shënuesi më i mirë në historinë e ligës, me 39 380 pikë, dhe me një mesatare të shkëlqyer prej 27.2 pikësh për ndeshje.

Vetëm Michael Jordan e Wilt Chamberlain kanë mesatare më të mirë sesa ai.

Ai është i katërti në renditjen e NBA-së për asiste, duke kaluar shifrën e 10 000 pasimeve për kosh, diçka që flet qartë për madhështinë.

James ka luajtur në 10 finale për titull, madje në 8 radhazi, ndonëse ka fituar vetëm 4 herë kurorën.

Katër herë është shpallur lojtari më i mirë i sezonit dhe 4 herë lojtari më i mirë i finaleve të plej ofit.

“Mbreti” i koshit është përzgjedhur 19 herë në ekipin e ndeshjes së “Yjeve”, dhe ka qenë në ekipin e parë 13 herë, që të dyja rekord.

Aktualisht, Lebroni është lojtari më i vjetër i NBA-së.

Me Kombëtaren amerikane, ai doli dy herë kampion olimpik, në 2008 në Pekin dhe në 2012 në Londër, por për habi nuk fitoi asnjë titull botëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat