​Ndalimi i tifozëve në palestra, vendimi mbetet në fuqi

Basketboll

​Ndalimi i tifozëve në palestra, vendimi mbetet në fuqi

Më: 2 janar 2024 Në ora: 12:22
Aktet e dhunës në palestrat sportive po dëmtojnë rëndë imazhin e basketbollit vendor

Vendimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës për mos lejimin e tifozëve mysafirë në palestra në ndeshjet e basketbollit mbetet në fuqi edhe gjatë këtij edicioni.

Ky vendim erdhi për shkak të disa incidenteve gjatë vitit 2023 në palestra, ku nuk mungoi edhe dhuna fizike ndërmjet tifozëve.

Përfaqësuesit e klubeve të basketbollit shprehen të ndarë për mos lejimin e tifozëve mysafirë në palestra.

Arbnor Rifati nga klubi i basketbollit Prizreni, thotë se vendimi i FBK-së është njëri nga më të mirë që ka mund të merret karshi kësaj situate.

Rifati: Jam pro vendimit për ndalimin e tifozëve në palestra

“Për mua ky definitivisht është vendimi më i mirë ndonjëherë që është marrë. Do të thotë unë mendoj që masivizimi dhe zhvillimi i basketbollit është që t’i shmangim fyerjet, huliganizmin dhe vandalizmin nëpër palestra, pasi që 200 apo 300 vetë mund të sjellin disa të ardhura, por në të njëjtën kohë do t’i largojnë nënat dhe fëmijët, pasi që sporti është definicion që bën thirrje për edukim dhe ofrim të njerëzve e jo për urrejtje. Mendoj që derisa ne do të vetëdijesohemi si popull, sportin ta kuptojmë si kulturë e jo si vend shënjestër për sharje e fyerje, e të tjera. Unë jam pro këtij vendimi”, bëri të ditur Rifati.

Ndryshe nga Rifati, zëdhënësi i klubit të basketbollit Peja, Ardit Lipa thotë se pavarësisht se respektojnë vendimin e federatës, ndalimi i tifozëve po u shkakton dëme financiare pasi mungesa e tifozëve mysafirë është e rëndësishme në aspektin e shitjes së biletave.

Lipa: Ndalimi i tifozëve po e penalizon klubin tonë në aspektin financiar

“Realisht të penalizon, sepse janë 300 ose 400 bileta që ndahen për tifozeritë mysafire në pjesën ballore pas koshit në anën tjetër dhe kur nuk ke tifozë mysafirë vështirë mbushet ajo pjesë dhe në aspektin e biletave pak a shumë të penalizon. Të penalizon edhe në aspektin sportiv, sepse tifozëria është zemra e gjithë basketbollit edhe nuk është mirë që të ndalen, por ne e mbështesim çdo vendim të Federatës së Basketbollit të Kosovës duke marrë parasysh se çfarë ka ndodhur, sidomos në Superkupën e Kosovës në Suharekë ku ndodhën ato incidentet ndërmjet tifozëve. Incidentet që ndodhin e penalizojnë klubin, sepse çdo hedhje në palestër, çdo sharje e penalizon direkt klubin, nuk penalizohet individi dhe normalisht që ndikon kjo te klubi”, deklaroi Lipa.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka shuar të gjitha shpresat që ky vendim mund të ndryshohet. Sipas tij, aktet e dhunës në palestrat sportive po dëmtojnë rëndë imazhin e basketbollit kosovar.

Fetahu: S’do të rishqyrtohet vendimi për ndalimin e tifozëve ne palestra

“Jam i bindur që janë dëmtuar financiarisht klubet, e di këtë fakt, e di që nuk është e mirë për klubet të kemi zbrazje të palestrës. E di që nuk është e mirë as për shikuesit e mirëfilltë të kemi zbrazje të palestrës...Por, alternativa, mos ndërmarrja e asnjë mase edhe lejimi i kësaj spiraleje të dhunës do ta çonte basketbollin që t’i zbrazim palestrat, por një pikë prej së cilës kthim prapa nuk do të mund të kishte kurrë... Kështu që ne nuk mund as të marrim në shqyrtim rishikimin e masave përderisa i kemi pasur tri teste gjatë vitit të fundit kalendarik në të cilat në të tri këto teste kemi rënë”, ka thënë Fetahu.

I pari i FBK-së ka kritikuar edhe organet e drejtësisë për mos efikasitet ndaj akteve të huliganizmit dhe kjo, sipas tij, po ndikon që ato vazhdimisht të përsëriten.

Fetahu: Drejtësia s’po bën mjaftueshëm për dënimin e personave të dhunshëm në palestra

“Në fakt, nuk po mbeten as nën hije, po dalin në fushë prapë, sepse këta individë të cilët po ndërmarrin veprime të tilla po lihen të lirë. Nuk do të thotë që në palestrën e basketbollit ku i kemi 3000 shikues në një ndeshje, të gjithë prej tyre janë huliganë. Prej tyre mund të dalin pesë ose dhjetë, të cilët ndërmarrin veprime huliganizmi për të cilat pësojnë 1.500-2.000 të tjerë. Por, këta individë janë lehtë të identifikueshëm për shkak se në palestrat tona kryesore sot ne kemi kamera... Por, ne edhe në momentin kur i identifikojmë këta individë, pak gjë ndodh apo ndërmerret ndaj tyre. Ky është problemi kryesor”, ka thënë Fetahu.

Sipas Fetahut, ky është vendimi më i vështirë nga ana e FBK-së, por që alternativa tjetër do të ishte vetëm ndalimi i garës dhe kjo do të ishte me pasoja shumë më të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat