​Lipa: Peja synon titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës

Basketboll

​Lipa: Peja synon titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës

Më: 12 janar 2024 Në ora: 12:20
Ardit Lipa

Synimet e klubit të basketbollit “Peja”, janë të qarta, por edhe shumë të larta. Verdh e zinjtë duan titullin e kampionit, por edhe Kupën e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Ardit Lipa, zëdhënës i skuadrës pejane. Sipas tij, titulli dhe kupa janë gjithmonë në objektivin e klubit, por që prapa nuk mbetet as synimi për paraqitje dinjitoze edhe në arenën ndërkombëtare.

Lipa: Peja synon titullin kampion dhe Kupën e Kosovës

“Realisht klubi i basketbollit Peja në secilin sezon hyn me qëllime të plota për t’i fituar të gjitha trofetë. Ndonjëherë ndodh e ndonjëherë jo, por gjithsesi objektivi gjithmonë mbetet fitimi i të gjitha trofeve dhe paraqitja e klubit këtë sezon në vitin 2023, ka qenë e jashtëzakonshme, ku në muajin maj edhe u shpallëm kampion të Kosovës, ku arritëm që ta rikthejmë titullin në Karagaç. Synimi mbetet i njëjtë edhe këtë sezon...po shkojmë me objektivat tona, sezoni është i gjatë, play-offi do të jetë edhe më i gjatë se sezoni nga rëndësia e ndeshjeve dhe synimi kryesor është titulli kampion dhe fitimi i Kupës së Kosovës.”, tha Lipa.

Sipas Lipës, rivaliteti në elitën e basketbollit kosovar është tejet i lartë, por që skuadrat favorite për titull, sipas tij, janë Peja dhe Trepça.

Lipa: Peja dhe Trepça skuadrat favorite për titull

“Gjithsesi është një konkurrencë e jashtëzakonshme dhe është ky një lajm shumë i mirë për basketbollin e Kosovës sepse po mbushen palestrat, po e shohim interesimin e jashtëzakonshëm që kanë tifozët për basketbollin dhe ndoshta po i kthehet hijeshia e dikurshme që e kishte basketbolli e realisht me investimet që pritet të bëhen në muajin janar, konkurrenca besoj që nuk mund të ndahet në vetëm brenda dy skuadrave, por për momentin ne e shohim Pejën dhe Trepçën, që janë dy skuadra që ishin edhe sezonin e kaluar që janë edhe këtë sezon me investimin më të mirë dhe skuadra që deri më tani i kanë gjasat më reale për titull”, deklaroi Lipa.

Në garat evropiane, përkatësisht në FIBA Europe Cup, Peja, nuk arriti që ta kalonte fazën e grupeve, por Lipa thotë se ndikim të madh pati numri i madh i lojtarëve të dëmtuar.

Lipa: Jemi të kënaqur me paraqitjet e Pejës në garat evropiane

“Duke i pasur parasysh të gjitha lëndimet që ndodhën ku në tri ndeshjet e fundit ku Peja ishte realisht me gjashtë ose shtatë basketbollistë në roster (pesëshja në lojë) dhe ishte shumë e vështirë të bëhet ai ndërrimi i lojtarëve, ku disa lojtarë detyroheshin të luajnë pothuajse 40 minuta, atëherë mund të themi që ishte një paraqitje e kënaqshme...Duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarëve që e ka pasur Peja, atëherë është një paraqitje e kënaqshme. Normalisht, çdokush do të donte të arrinte t’i kalonte grupet dhe të bënte një arritje historike, por gjithsesi po vazhdojmë përpara, po vazhdojmë më synime të mëdha, jemi të kënaqur nga ajo që treguam në Evropë, morëm një mësim shumë të mirë se ku jemi dhe çfarë duhet të punojmë.”, theksoi Lipa.

Gjatë afatit kalimtar të janarit, Lipa ka bërë ditur se “Peja”, do të bëhen disa përforcime, por vetëm me basketbollistë vendor, pasi numri i basketbollistëve të huaj është i kompletuar në skuadër.

Lipa: Në janar do të ketë përforcime të reja

“Peja e ka të mbushur numrin e pesë basketbollistëve të huaj dhe trajneri Rami Hadar është i kënaqur me ata basketbollistë. Pritet të ketë disa lëvizje tek basketbollistët vendor, por nuk kemi emra për momentin...Në janar do të shqyrtohen të gjitha mungesat ku i ka klubi dhe do të bëhen lëvizjet e duhura që të kompletohet ekipi e duhur për të luftuar për titullin kampion dhe për titullin e Kupës së Kosovës”, bëri të ditur Lipa.

Në muajin nëntor të vitit 2023, Peja u përball me një situatë të çuditshme, ku basketbollisti amerikan, Jakom Colloway iku nga klubi pa e njoftuar askënd. Për këtë situatë, Lipa bëri të ditur se kanë mbetur të shokuar drejtuesit e klubit dhe se ndaj lojtarit do të ndiqen të gjitha proceduar ligjore sepse ka qenë një prishje e kontratës në mënyrë të njëanshme.

Lipa: Colloway iku pa u përshëndetur me askënd

“Ishte Jakob Colloway, pra basketbollisti amerikan që u largua nga klubi pa e lajmëruar asnjërin prej pjesëtarëve te klubit. Mund të themi realisht që Jakob Colloway nuk është përshëndetur me asnjërin, as me lojtarët e huaj që i kishte edhe pak a shumë si shokë dhe nuk e dimë arsyem e vërtetë. Klubi i Pejës do t’i shkojë deri në fund procedurave ligjore për shkak se Jakob Colloway ishte basketbollist në kontratë me Pejën dhe nuk mund të largohet, pra është një prishje e kontratës, ajo që ndodhi kështu që vetëm mund të them që do t’i ndjekim të gjitha procedurat ligjore që të shohim se çfarë do të ndodhë me rastin e Jakom Colloway.”, tha Lipa.

Sa i përket situatës financiare, Lipa tha se Peja tashmë është në një situatë shumë stabile dhe nuk ka telashe me pagesat e lojtarëve e stafit dhe se kjo po ia mundëson edhe planifikimin e së ardhmes me plane të reja ambicioze, një prej të cilave është edhe mbajta e trajnerit, Rami Hadar sa më gjatë në krye të skuadrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat