FBK e përjashtoi nga garat U16, SHB “Dardania” e çon lëndën në KAS

Basketboll

FBK e përjashtoi nga garat U16, SHB “Dardania” e çon lëndën në KAS

Më: 14 janar 2024 Në ora: 09:39
Foto ilustrim

Ened Gashit dhe disa të rinjve të tjerë të cilët janë pjesë e shkollës së basketbollit ‘Dardania’ në kryeqytet u është ndaluar pjesëmarrja në gara në Ligën U16, për shkak të aktivizimit të një lojtari në ndeshje me moshë jo të lejuar sipas rregulloreve të Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Po ndihemi keq, sepse nuk është gjë e mirë të mos luash në ligë. Ne po vazhdojmë të stërvitemi sa më shumë dhe shpresojmë të luajmë sërish në kampionat”, tha Enedi.

Shkolla e basketbollit Dardania, ka angazhuar një avokat lidhur me këtë çështje, i cili ka adresuar padi në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv (KAS) që funksionon në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës. Ai vendimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës për përjashtimin nga garat e konsideron si të pa arsyeshëm, derisa gabimin e klubit e quan të natyrës teknike.

“Klubi ka prezantuar dokumentet origjinale të lojtarit, listën e lojtarëve dhe nuk ka asnjë faslfisikim dhe asnjë shënim të rrejshëm. Komisari i Garave lëshon vetëm një fletë A4 me 5 rreshta ku thotë përjashtohet ekipi nga garat e rregullta dhe i merren të gjitha pikët per një gabim teknik”, tha Besim Curri, avokat i Shkollës së Basketbollit “Dardania”.

E trajneri i kësaj shkolle, Blerim Krasniqi kërkon që të ndëshkohet personalisht ai, e jo lojtarët.

“Këtu bëhet fjalë për një djal i cili ende s’ka qenë 15 vjeçar por ka luajtur në U16. Me logjikën normale ai ka pasur të drejtë të luaj dhe unë e kam futur në lojë, por ata është dashur të mos e lejojnë të luaj. Një minutë para se të përfundonte ndeshja neve na kanë lajmëru që s’ka pasë të drejtë të luajë”, tha ai.

Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka thënë se për shkak të aktivizimit të basketbollistit në ligën U16, që nuk përputhet me moshën e lejuar për garat në atë kategori dhe pasi është verifikuar se i njëjti është regjistruar me shënime të rrejshme ose dokumente të falsifikuara, SHB “Dardania” i janë shlyerë të gjitha rezultatet dhe është përjashtuar nga gara për edicionin 2023/24 në atë kategori. Në këtë përgjigje thuhet se ndaj trajnerit të SHB ‘Dardania” është marrë vendim që t’i shqiptohet masa disiplinore: Ndalesë në kryerje të detyrës për periudhë të caktuar kohore, prej tre (3) muaj.

“Federata e Basketbollit e Kosovës nuk mund të lejoj që asnjë ekip dhe asnjë person të mos i respektoj aktet normative në fuqi dhe për këtë arsye vendimet e lartëpërmendura duhet respektuar maksimalisht nga të gjithë anëtarët e FBK-së, pa asnjë përjashtim”, thuhet tutje në përgjigjen e sekretares Elvira Dushku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat