Besëlidhja - Tirana, finalja e Kupës së Shqipërisë

Basketboll

Besëlidhja - Tirana, finalja e Kupës së Shqipërisë

Më: 20 janar 2024 Në ora: 11:18
Pamje nga ndeshja

Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka nisur të premten në mbrëmje “4-shen” e saj finale, teksa janë luajtur dy gjysmëfinalet, të cilat u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.

Në fakt kanë qenë “rrugë me një kalim”, sepse Besëlidhja dhe Tirana kanë mbizotëruar, përkatësisht ndaj Vllaznisë dhe Kamzës, duke siguruar vendin në finale.

Besëlidhja ka vendosur diktatin që në dy 10-minutëshat e parë, duke e fituar të parin me 10 pikë epërsi, 27-17, dhe të dytin 29-22, dhe duke shkuar kështu në pushimin midis dy gjysmave duke kryesuar bindshëm, me shifrat 56-39.

10-minutëshi i 3-të është fituar nga Vllaznia me një pikë epërsi 25-24, por lezhjanët i kthejnë reston, duke e marë atë të 4-tin dhe të fundit 26-25 dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 106-89. Besëlidhja kualifikohet për në finale, aty ku do të përballet me Tiranën, e cila, në një përkim të pazakontë, i ka mbyllur dy pjesët e para të lojës me të njëjtin rezultat, 56-29, teksa kryeqytetasit e fitojnë bindshëm, 32-13, 10-minutëshin e fillimit, kurse atë të dytin e marrin me shifrat 24-16.

 Edhe në gjysmën e dytë të ndeshjes, skuadra e drejtuar nga trajneri Erkan Karaji ka vijuar të mbizotërojë, duke e thelluar edhe më tepër epërsinë, pasi 10-minutëshin e 3-të e ka marrë me shifrat 21-18, kurse atë të 4-tin 29-19, dhe gjithë ndeshjen me epërsinë e thellë, 106-66.

Kështu, dy skuadrat që i kanë dhënë tonin koshit shqiptar në këto dy vitet e fundit, Besëlidhja dhe Tirana, do të përballen me njëra-tjetrën të shtunën për trofeun e parë të këtij sezoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat