Vllaznia, fitore mes tensionit ndaj Tiranës

Basketboll

Vllaznia, fitore mes tensionit ndaj Tiranës

Më: 4 shkurt 2024 Në ora: 22:10
Pamje nga ndeshja

Pasi janë luajtur të shtunën 5 nga ndeshjet e javës së 13-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, Superligës, të dielën është luajtur edhe sfida e fundit, ajo midis Vllaznisë dhe Tiranës.

Ndeshja që u luajt në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, pati një ndërprerje në 10-minutëshin e 3-të të saj, për shkak të problemeve të shkaktuara nga tifozeria vendase.

Në fakt, në një atmosferë të ndezur, Vllaznia e fitoi 10-minutëshin e parë me shifrat 22-14, por ai i  dyti ka qenë edhe më i mirë për Tiranën, e cila do të luftojë pikë për pikë.

Sidoqoftë, është Vllaznia që e fiton atë me vetëm një pikë epërsi, 20-19, dhe shkon kështu në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me 9 pikë epërsi, 42-33. Por 10-minutëshi i 3-të nuk do të nisë normalisht, pasi është goditur stoli i kryeqytetasve dhe loja është ndërprerë, për të rinisur pas plot 30 minutash.

Tirana ka dalë një tjetër skuadër nga dhomat e zhveshjeve, duke e fituar 10-minutëshin e 3-të me një epërsi të dyfishtë, 26-13, por, më tepër se kaq, duke marrë kryesimin e rezultatit pas një gjysmë ore lojë, me shifrat 59-55.

Por 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka folur për vendasit, që do ta fitojnë atë me 10 pikë epërsi, 28-18, dhe do të përmbysin kështu shifrat, duke e fituar gjithë takimin me rezultatin 82-77.

Vllaznia kapërcen mbi Tiranën në renditje, teksa ndan vendin e dytë e të 3-të me Kamza Basket, me nga 21 pikë secila, 3 më pak sesa Besëlidhja kryesuese, ndërsa kryeqytetasit zbresin në vendin e 4-t, me 20 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat