Teuta e mbyll me sukses në Vlorë

Basketboll

Teuta e mbyll me sukses në Vlorë

Më: 12 prill 2024 Në ora: 13:50
Teuta

Basketbolli i meshkujve ka hapur dje javën e fundit të sezonit të rregullt me tre takime.

Teuta ka marrë një sukses të rëndësishëm për vendin e dytë, teksa ka mposhtur Flamurtarin në Vlorë me rezultatin e thellë 59-92 (25-25, 17- 22, 8-27, 9-19). Pas periodës së parë në ekuilibër të plotë, durrsakët më tej nisën shkëputjen, për ta mbyllur ndeshjen me +33 pikë.

Protagonisti kryesor në suksesin e Teutës ishte kapiteni Kristi Gorea, autor i 20 pikëve, 5 kërcimeve dhe 4 asistimeve. Për vlonjatët spikati Armelind Sotiri me 17 pikë, 15 kërcime dhe 5 asistime.

Gjithçka e thjeshtë edhe për Apoloninë ndaj Skënderbeut të vendit të fundit. Fierakët fituan në Korçë me rezultatin 65-89 (14-28, 13-18, 18-24, 20-19). Joel Vruho me 31 pikë bëri diferencën për miqtë, ndërsa për Skënderbeun rendimentin më të lartë e kishte Endri Habip me 15 pikë e 6 kërcime.

Fitore regjistroi edhe Partizani, teksa mposhti Fierin në shifra të thella 94-70 (18-13, 26-25, 24-17, 26-15) në “Asllan Rusi”. Një takim që kishte më tepër vlerë statistikore, me të dyja ekipet që sezonin e ardhshëm do të luajnë në nivelin e dytë. Kapiteni Abdel Gjyzeli me 20 pikë ishte shënuesi më i mirë për të kuqtë, ndërsa te Fieri u dallua Brando Anyanwu me 23 pikë, 9 kërcime dhe 7 asistime. Java e 22-të do të vijojë sot me takimin Elbasani-Vllaznia (ora 17:00), për tu mbyllur nesër me supersfidën Besëlidhja-Tirana në orën 18:00 në “Asllan Rusi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat