Ka kohë që kërkohet me ngulmë, sidomos nga gazeta kombëtare “Bota sot”, që të ndalen një herë e përgjithmonë garat ilegale të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës. Është tepruar shumë nga serbët, sepse me vite e vite luajnë në një pjesë të Mitrovicës me himn dhe Flamur të Serbisë! Mokra Gora nga Zubin Potoku bën pjesë në rangun më të lartë, në Superligën e Serbisë në hendboll (meshkujt), pastaj janë klubet e futbollit, basketbollit, volejbollit etj. që zhvillojnë garat në kuadër të Serbisë.
U ndal Lloznica në volejboll, u ndal sot edhe klubi i basketbollit me renome Partizani nga Beogradi! Ministria e Kulturës dhe e Sportit të Kosovës, me ministrin Kujtim Gashi, në koordinim me autoritetet përkatëse të shtetit tonë, me Federatën e Basketbollit të Kosovës, nuk i dhanë leje klubit serb dhe e kthyen mbrapsht në kufirin e Jarinjës.
Një veprim që duhet lavdëruar dhe ju lumtë. Një veprim i fuqishëm dhe që duhet vazhduar edhe më ashpër ndaj garave ilegale që zhvillohen në Leposaviq, në Leshak, në Zveçan, në Zubin Potok, në një pjesë të Mitrovicës.