Frika nga koronavirusi: Kina dezinfekton dhe shkatërron bankënotat

Bota

Frika nga koronavirusi: Kina dezinfekton dhe shkatërron bankënotat

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Përderisa koronavirusi po vazhdon të përhapet çdo ditë në Kinë, Banka Qendrore ka filluar të zbatojë një strategji të re për luftimin e përhapjes së virusit të rrezikshëm – pastrami i thellë i bankënotave dhe shkatërrimi i atyre që dyshohet se e bartin koronavirusin.

Masat e reja, të cilat hynë në fuqi në fundjavë, janë marrë me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit, tashmë i njohur me emrin zyrtar Covid-19. Deri më tash, më shumë se 1700 persona kanë vdekur dhe 71 mijë janë infektuar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi i ri mund të mbijetojë në disa lloje të sipërfaqeve për një periudhë të caktuar kohore. Për këtë arsye, kinezët po i dezinfektojnë edhe dorezat e dyerve, pullat e ashensorëve dhe objektet e tjera që preken nga shumë njerëz.

Prej tash e tutje, bankat kineze janë të detyruara që t’i pastrojnë bankënotat përmes dezinfektimit me rreze ultra-vjollcë dhe vendosjes në temperatura të larta. Më pas, kartëmonedhat duhet të vendosen të izoluara për dy javë në vende të mbyllura e në fund të futen në përdorim.

Bankënotat që vijnë nga zonat që janë prekur më shumë nga koronavirusi do të trajtohen në mënyrë të veçantë. Ato së pari do të dërgohen në Bankën Qendrore për t’u dezinfektuar e më pas do të vendosen përsëri në qarkullim, shkruan “CNN”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat