Australia i urdhëron të gjithë të ardhurit që të izolohen për dy javë

Bota

Australia i urdhëron të gjithë të ardhurit që të izolohen për dy javë

Më: 15 mars 2020 Në ora: 09:41
Ilustrim

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, e ka urdhëruar izolimin dyjavor të të gjithë personave që arrijnë në këtë vend nga shtetet e huaja si përpjekje për ta luftuar përhapjen e mëtejme të virusit Covid-19.

“Kjo është shumë e rëndësishme”, tha kryeministri australian gjatë një konference për gazetarë, duke shtuar se masa e re do të futet në fuqi duke filluar nga mesnata e së dielës. Ky veprim ngjan me atë që e mori qeveria e Zelandës së Re një ditë më parë.

“E dimë se virusi nuk mund të ndalet plotësisht – askush nuk mund ta bëjë këtë – por ne mund ta ngadalësojmë përhapjen. Ne presim që kjo do të jetë detyra jonë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm”, tha Morrison.

Kryeministri bëri thirrje që njerëzit të mbajnë më shumë distancë sociale, përfshirë shmangien e përshëndetjeve me shtrëngim duarsh.

Edhe anijet e huaja do ta kenë të ndaluar ankorimin në portet e Australisë gjatë tridhjetë ditëve të ardhshme, por shkollat nuk do të mbyllen.

Deri më tani, nga koronavirusi në Australi kanë vdekur tre persona dhe janë shënuar 250 raste të infektimeve, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat