Morawiecki: Ushtarë të Grupit Wagner i afrohen kufirit të Polonisë

Bota

Morawiecki: Ushtarë të Grupit Wagner i afrohen kufirit të Polonisë

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 22:01
Mateusz Morawiecki

Një grup prej njëqind ushtarësh të grupit mercenar rus Wagner është afruar më pranë qytetit bjellorus të Grodnos pranë kufirit polak, tha të shtunën kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki.

Polonia, një ish-anëtare e Traktatit të Varshavës dhe anëtare e NATO-s që nga viti 1999, ka qenë e shqetësuar për përhapjen e mundshme të konfliktit në territorin e saj që kur Rusia filloi agresionin frontal ndaj Ukrainës në shkurt 2022. Në fillim të këtij muaji, Polonia filloi të zhvendoste më shumë se 1,000 trupa në lindje të vendit mes shqetësimeve në rritje se prania e luftëtarëve të Grupit Wagner në Bjellorusi mund të çojë në rritjen e tensionit në kufirin e saj.

"Situata po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme... Ka shumë mundësi që ata të paraqiten si roje kufitare bjelloruse dhe të ndihmojnë migrantët e paligjshëm të hyjnë në territorin polak (dhe) të destabilizojnë Poloninë," tha zoti Morawiecki në një konferencë shtypi në Gliwice të Polonisë Perëndimore.

"Me shumë gjasa ata do të përpiqen të hyjnë në Poloni duke pretenduar se janë emigrantë të paligjshëm dhe kjo paraqet kërcënime shtesë," tha zoti Morawiecki. Megjithatë, ai nuk dha burimin e informacionit të tij mbi lëvizjet e mercenarëve të Grupit Wagner dhe Anton Motolko, themeluesi i projektit të opozitës bjelloruse Hajun, i cili monitoron aktivitetin ushtarak në vend, i tha agjencisë Reuters se grupi i tij nuk kishte parë asnjë provë që Grupi Wagner po i afrohej më shumë Grodnos.

Zhvendosja e forcave të Grupit Wagner në Bjellorusi ishte pjesë e një marrëveshjeje që i dha fund përpjekjes për kryengritje të grupit në qershor, kur ata morën kontrollin e një selie ushtarake ruse, marshuan drejt Moskës dhe kërcënuan se do ta futnin Rusinë në luftë civile, sipas Presidentit Vladimir Putin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat