Macron telefonon May: Marrëveshja e 25 Nëntorit, më e mira e mundshme

Evropë

Macron telefonon May: Marrëveshja e 25 Nëntorit, më e mira e mundshme

Më: 5 janar 2019 Në ora: 06:45
Presidenti francez Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron i tha homologes së tij britanike, Theresa May, në një telefonatë të premten, se marrëveshja që ajo negocioi për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian ishte “më e mira e mundshme”, tha një zyrtar në presidencën franceze.

E ardhmja e marrëveshjes së May, varet nga votimi parlamentar, ndërsa edhe thirrjet për një referendum të dytë, të cilin ajo e ka refuzuar vazhdimisht, po shtohen gjithnjë e më shumë.

Vetë kryeministrja britanike shtyu votimin për marrëveshjen, që ishte planifikuar më 8 Dhjetor, pasi kuptoi se nuk kishte numrat e duhur për miratimin e saj, ndërsa po punon të bindë kundërshtarët për votimin e janarit.

“Presidenti riafirmoi mbështetjen e tij për marrëveshjen e arritur më 25 nëntor, e cila është marrëveshja më e mirë e mundshme për të gjitha palët”, tha zyrtari i Pallatit të Elysee, duke komentuar telefonatën mes Macron dhe May.

Ditët e fundit, zërat për një largim të Britanisë nga BE-ja, pa marrëveshje, janë shtuar shumë, por natyrisht që një hap i tillë do të dëmtonte jo pak ekonominë e ishullit, ndaj May kërkon ta shmangë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat