Mbeturinat plastike: Cila është gjendja dhe si mund ta shmangim mikroplastikën?

Evropë

Mbeturinat plastike: Cila është gjendja dhe si mund ta shmangim mikroplastikën?

Më: 25 mars 2019 Në ora: 12:28
Foto ilustrim

Plastikat kanë pushtuar botën. Plastikë ka në veshje, në goma makinash, në paketime, dhe në tokë. Ajo noton në dete, në ujin e pijshëm dhe gjendet në zorrët tona. Si t‘ia bëjmë për ta zgjidhur këtë problem?

Vetëm në Gjermani përhapen çdo vit për frymë njeriu rreth 5,4 kilogram mikroplastikë. Kjo është sa sasia e plastikës të 800 shisheve uji. Në këtë përfundim arritën studiuesit e Institutit Frauenhofer për teknikën e mjedisit, sigurisë dhe teknologjisë (UMSICHT) në studimin „Plastika në mjedis: mikro- dhe makroplastika"..

Pjesa më e madhe e mikroplastikës krijohet nga gërryerja e gomave prej fërkimit (1229 gram), nga bitumi (asfalti i rrugëve) dhe shënjimet e rrugëve (319 gram). Shumë mikroplastikë krijohet edhe gjatë deponimit të mbeturinave (303 gram) - sidomos gjatë procesit të riciklimit, si dhe nga plastika që nuk tretet, e cila përfundon gabimisht në plehun biologjik.

Fushat dhe terrenet sportive me bar artificial, sipas studimit të Fraunhofer, lëshojnë çdo vit mesatarisht 132 gram mikroplastikë; përmes fërkimit të shojeve të këpucëve çdo person shkakton mesatarisht rreth 109 gramë mikroplastikë; nga përdorimi i paketimeve plastike 99 gram dhe nga larja e rrobave prej fibrash sintetike 77 gramë. Nga mikroplastika, që gjendet në pastat e dhëmbëve dhe në kozmetikë arrijnë në mjedis 19 gram për person. "Ne supozojmë se mikroplastika gjendet tashmë në çdo pjesë të mjedisit. Kjo vjen nga fakti që ne përdorim kudo plastika dhe që emetimet përhapen nga era dhe uji", thotë autorja e studimit të Fraunhofer, Leandra Hamann.

"Pra, nuk është çudi të gjejmë mikroplastikë në ajër, në ujë të pijshëm, apo në ushqim", thotë Haman.

Në Gjermani krijohen ҫdo vit për frymë njeriu rreth 220 kilogramë mbeturina plastike. Kjo është dukshëm më tepër se mesatarja globale prej 60 kilogramësh. Në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës konsumimi për person arrin 20 kilogramë.

Ndotja nga plastika duhet reduktuar radikalisht

Aktualisht në mbarë botën çdo vit prodhohen më shumë se 440 milionë tonë plastikë. Sipas parashikimeve kjo shifër rritet çdo vit me katër për qind. Sipas të dhënave të nova-Institut për Ekologji dhe Inovacion, rreth 98 për qind e të gjitha plastikave prodhohen nga nafta dhe gazi natyror dhe vetëm dy për qind nga lëndët e para të ripërtëritshme. Me qëllim që plastikat të arrijnë cilësitë e dëshirueshme, atyre u shtohen lëndë të ashtuquajtura aditivë. Shumë prej tyre janë të regjistruara si substanca të rrezikshme.

Image

Vetëm disa lloje të pakta plastike mund të shpërbëhen shpejt dhe pa problem në kushte të caktuara në mjedis. Një nga këto lloje plastikash është biopoliesteri i natyrshëm PHA, që formohet nga bakteret. Megjithatë PHA-të janë rreth gjashtë herë më të shtrenjta për t‘u prodhuar se sa plastikat konvencionale dhe prandaj "prodhohen pak dhe shiten pak", thotë për DW Michael Carus, drejtor menaxhues i nova-Institut. "Me një prodhim prej 5000 tonë në vit PHA-të nuk luajnë thuajse asnjë rol në krahasim me plastikat e tjera".

Shumicës së plastikave u duhet një kohë e gjatë, derisa të shpërbëhen në natyrë. Për shpërbërjen e gjysmës së produkteve plastike nevojiten 100 vjet; për gjysmën tjetër studjuesit e Institutit Fraunhofer llogarisin madje deri në 1000 vjet. Për ta mbrojtur mjedisin nga plastika dhe mikroplastika, sipas ekspertëve, aktualisht ekziston vetëm një mundësi: të reduktohen sa më shumë plastikat.

Studiuesit e Fraunhofer rekomandojnë një reduktim prej 96 për qind të ndotjeve mikroplastike. Në Gjermani do të duhej që në të ardhmen në vend të 5400 gramëve mikroplastikë, që krijohen nga për person në vit, të dilnin në ambient vetëm 200 gramë.

Më pak mikroplastikë, po si?

Efektet afatgjata të plastikës dhe aditivëve tek njerëzit dhe mjedisi janë aktualisht të paqarta dhe hulumtimi në këtë fushë është ende i ri. Për të kufizuar ndikimin e ndotjes, në Konferencën e Mjedisit e OKB-së në Nairobi në mesin e muajit mars u vendos, që deri në vitin 2030 të reduktohet ndjeshëm përdorimi i plastikës njëpërdorimshe.

Në dhjetor 2018 shtetet e BE ranë dakord për ndalimin e plastikës njëpërdorimshe. Pjatat plastike, pipat plastikë dhe produktet e tjera, që hidhen pas përdorimit, do të jenë të ndaluara nga viti 2021. Komisioni i BE pret shumë prej këtij vendimi: nga reduktimi i plastikës mund të ulen me 3.4 milionë tonë emetimet e CO2. Konsumatorët mund të kursejnë deri në 6.5 miliardë euro nëpërmjet produkteve të përmirësuara. Ekspertët e mjedisit i përshëndesin masat, por kërkojnë hapa të mëtejshëm.

Stimulimi i inovacioneve dhe zbatimi i ndalimeve

Që të arrihet kalimi në një ekonomi që ruan mjedisin, nevojiten më shumë objektiva - si kuotat e detyrueshme të përdorimit të disahershëm për pijet dhe paketimet, taksat për produktet e dëmshme për mjedisin dhe ndalimi i produkteve të caktuara. "Një shembull përbëjnë klipet e vogla blu plastike në vreshtari. Ato mbeten në tokë dhe prandaj në të ardhmen duhet të prodhohen prej materialeve, të cilat shpërbëhen në tokë", thotë Michael Carus nga nova-Institut.

Sidomos në bujqësi dhe kopshtari ka alternativa ekologjike për mjedisin, mendon ai. Edhe tekstilet mund të jenë në një kohë të afërt ekologjike - duke u bërë nga fibra natyrore, të shpërbëshme dhe pa kimikate toksike.

"Për momentin, konsumatorët janë shumë pak në dijeni. Ata nuk e dinë se tekstilet janë të bëra nga nafta dhe se këto mikrofibra nuk treten", thotë Carus. "Në këtë rast do të ishte shumë e dobishme një etiketë për tekstilet ekologjike", thotë ai. Sipas studiuesve dhe industrisë evropiane të gomave, ende nuk ekzistojnë mundësitë e përdorimit të plastikave ekologjike për të zvogëluar sasinë e mikroplastikës që shkaktohet nga fërkimi i rrotave të makinave dhe kamionëve. Alternativa e vetme këtu mbetet: reduktimi i trafikut rrugor dhe zgjerimi i trafikut në shina./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat