Brexit dhe shanset për një marrëveshje mes konservatorëve dhe laburistëve

Evropë

Brexit dhe shanset për një marrëveshje mes konservatorëve dhe laburistëve

Më: 5 maj 2019 Në ora: 17:57
Kryeministrja Theresa May

Kryeministrja May duket e hapur të bëjë lëshime për një marrëveshje që do të siguronte shumicën në parlament pas tre dështimesh të planit të saj për Brexit.

Kryeministrja britanike Theresa May ka shtuar thirrjet ndaj kreut të Partisë Laburiste Jeremy Corbyn për të rënë dakord për një marrëveshje ndërpartiake për shkëputjen e vendit nga Bashkimi Evropian. Thirrjet vijnë në një kohë kur të dyja partitë shënuan rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të 2 majit.

Gjatë javëve të fundit palët janë ngërthyer në bisedime në një përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje për Brexit-in që do të mund të miratohej në parlament, pas tre dështimesh të forta të planit të kryeministres May për divorc nga BE-ja.

Sipas gazetës “Sunday Times” konservatorët pritet t’u bëjnë lëshime të reja Laburistëve me rifillimin e bisedimeve të martën (7 maj), përfshirë një mundësi për bashkim doganor të përkohshëm me Bashkimin Evropian, që do të zgjaste deri në zgjedhjet kombëtare të qershorit 2022.

Për të mbështetur planit e zonjës May për t’u larguar nga BE-ja, udhëheqësi i partisë Laburiste Jeremy Corbyn ka vendosur si kusht bashkimin e përhershëm doganor me BE-në, por Konservatorët e kundërshtojnë një gjë të tillë. Sipas tyre kjo gjë do të pengonte Britaninë që të arrinte marrëveshjet e saj tregtare me vendet e tjera.

Ndërkohë shefi për politikat financiare i partisë Laburiste John McDonnell gjatë një interviste të dielën për BBC-në akuzoi kryeministren Theresa May se ka thyer kushtet e bisedimeve konfidenciale me partinë Laburiste të opozitës mbi një kompromis lidhur me Brexit-in duke shtuar se asaj nuk mund t’i besohet më.

"Jo! Më vjen keq, por jo nuk mund t’i besohet më, pas kësaj fundjave kur ajo ka hedhur në erë konfidencialitetin dhe mendoj seriozisht se ka rrezikuar negociatat për interesat e saj personale", tha ai.

Por megjithatë zoti McDonnell tha se bisedimet do të vazhdojnë më vonë gjatë kësaj jave dhe nëse mund të arrihet një marrëveshje kjo duhet të ndodhë sa më shpejt.

Kreu i partisë Brexit Nigel Farage tha të dielën se një marrëveshje mes konservatorëve dhe laburistëve për shkëputjen nga BE-ja që do të përfshinte një bashkim doganor do të "shihej si një koalicion politikanësh kundër popullit" dhe si "tradhëti".

Nuk është e qartë nëse Bashkimi Evropian do të miratonte një marrëveshje doganore të përkohshme, në kushtet kur në një periudhë kohore më të vonë do të nevojiteshin kontrollet kufitare mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut, në rast të prishjes së marrëveshjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat