Britania shpreh shqetësim të thellë për situatën në Libi - Bota Sot
Britania shpreh shqetësim të thellë për situatën në Libi

Evropë

Britania shpreh shqetësim të thellë për situatën në Libi

Më: 9 maj 2019 Në ora: 19:16
Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, foto nga arkivi.

Britania e Madhe është thellësisht e shqetësuar për situatën humanitare dhe atë të sigurisë në Libi, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt të enjten, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Hunt i ka bërë këto komente pasi ai dhe kryeministrja britanike, Theresa May janë takuar me kryeministrin e Libisë, Fayez al-Serraj në Londër.

“Qeveria britanike ndan shqetësimin e thellë me kryeministrin Serraj për situatën në Libi, ku gjendja humanitare dhe ajo e sigurisë vazhdojnë të përkeqësohen”, ka thënë Hunt.

“Diplomacia është rruga e vetme për të ndalur përgjakjen dhe pasigurinë. I kemi bërë thirrje kryeministrit Serraj që të inkurajojë të gjitha palët për arritjen e një armëpushimi si dhe për ofrim të ndihmave për ata që kanë nevojë”, ka shtuar ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë ditë më parë se nga luftimet mes forcave rivale në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, kanë vdekur më shumë se 200 persona.

Përleshjet, që kanë nisur në fillim të muajit prill kanë kërcënuar nisjen e një lufte civile.

Luftimet në Tripoli kanë nisur si pasojë e përleshjes së Ushtrisë Kombëtare të Libisë, të udhëhequr nga komandanti, Khalifa Haftar, dhe milicive tjera, që janë të lidhura me Qeverinë e Libisë, të përkrahur nga Kombet e Bashkuara.

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 25,000 persona janë zhvendosur si pasojë e luftimeve.

Libia, vend i pasur me naftë në Afrikën e Veriut, është shkatërruar nga dhuna, paqëndrueshmëria politike dhe përpjekjet për pushtet qëkur sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...