Një video me pasoja dramatike - Bota Sot
Një video me pasoja dramatike

Evropë

Një video me pasoja dramatike

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:21
Pamje nga videoja, ku Strache flet me një gjoja oligarke ruse

Si një video e filmuar në fshehtësi, ku një politikan i lartë i partisë populiste, FPÖ bën pazare me një gjoja oligarke ruse e futi Austrinë në një krizë të thellë shtetërore. Gazetari Otmar Lahodynsky analizon për DW.

Brenda një fundjave ndryshoi tërësisht situata e brendshme politike në Austri. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, (ÖVP) i dha fund koalicionit me Partinë e Lirisë, FPÖ, me të cilën ai qeveriste nga viti 2017. Në shtator Austria shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Zbulim i arrogancës dhe korrupsionit

Shkak për këtë u bë një bombë në formën e një filmimi të fshehtë, të cilin e vendosën në internet dy media gjermane, "Der Spiegel" dhe "Süddeutsche Zeitung" të premten në mbrëmje (17.05). Në një vilë në Ibica në korrik të vitit 2017, u filmuan fshehurazi politikani i FPÖ Heinz-Christian Strache, më vonë zëvendëskancelari austriak, dhe atëherë zëvendëkryebashkiaku i Vjenës, Johann Gudenus, po nga FPÖ, më vonë kreu i grupit parlamentar të FPÖ. Se kush i ka bënte pyetjet në këtë video nuk dihet. Të dy politikanët flisnin me një mbesë të rreme të një oligarku rus për investime të mundshme shumëmilionëshe në Austri, donacione ilegale për partinë, blerjen e një gazete ditore, më të madhen në Austri, dhe si FPÖ do ta shpërblente rusen me pasaportë letoneze për mbështetjen e saj. Kjo mbrëmje e filmuar zgjati shumë orë dhe u rrëkëllye shumë vodka.

Filmimet i zbuluan të dy politikanët si politikanë arrogantë dhe të korruptuar, që për të marrë donacione ruse ishin të gatshëm në këtë video të bënin çdo gjë, edhe veprime ilegale. Tre muaj pas filmimit u zhvilluan në Austri zgjedhjet, ÖVP fitoi më së shumti vota, e u fut në një koalicion qeverisës me FPÖ.

Tani kreu i partisë FPÖ, Strache dhe miku i tij, Gudenus hoqën dorë nga të gjitha postet politike. Kancelari austriak, 32 vjeçari, Sebastian Kurz kishte premtuar reforma rrënjësore të shtetit. Si një projekt prestigjioz i tij u paraqit shkrirja e 21 sigurimeve sociale në 5 gjithsej. Para tre javësh u prezantua një reformë tatimore, që në dy etapa duhet të ulte tatimet mbi rrogën dhe të ardhurat.

FPÖ përndiqej nga e shkuara e saj

Image
Kancelari Sebastian Kurz

Në poste të rëndësishme ministrore, si të ministrit të Jashtëm, të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme, të Infrastrukturës dhe asaj Sociale, FPÖ vendosi njerëzit e saj. Ministri i Punëve të Brendshme, Herbert Kickl u kritikua ashpër nga opozita dhe media në fillim të vitit 2018, kur ai kreu një aksion policor në zyrat e Shërbimit Informativ të Austrisë, Zyrën për Mbrojtjen Kushtetuese dhe Luftimin e Terrorizmit, BVT dhe largoi kreun e saj. Kickl ashpërsoi rregulloret për migrantët dhe azilkërkuesit, duke e shkurtuar në masë të madhe mbështetjen financiare për ta dhe duke e lidhur atë me mësimin e gjermanishtes. Qendrat e pranimit të refugjatëve ai i shndërroi në "Qendra largimi", gjë të cilën, kardinali vjenez, Christoph Schönborn e cilësoi si "të padurueshme".

Në fillim FPÖ e kishte të vështirë paraqitjen në rolin e partisë bashkëqeverisëse. Gjithnjë i dilnin probleme me përpunimin e historisë apo me "Burschenschaften" - korporata studentore. Herë dilnin libërtha me vargje këngësh të padurueshme naziste.

Herë dilte një zëvendëskryetar bashkie i FPÖ-së, si ai i Braunaut, vendlindjes së Adolf Hitlerit që në një poezi i barazonte migrantët me minjtë. Ose lidhje të FPÖ-së me radikalët e djathtë të lëvizjes "Identitare". Ky grupim kishte marrë edhe një donacion në para nga atentatori i vrasjeve në Christchurch, Zelandën e Re.

Në fushatën për zgjedhjet europiane, FPÖ ndoqi një kurs të qartë kundër BE dhe iu bashkua grupimit të ri të populistëve të djathtë, me kreun e Legas, Matteo Salvini, kryetaren e Rassemblement National, Marine Le Pen, kundërshtarëve të islamit në Holandë, Geert Wilders dhe partive të tjera populiste të djathta. Por tani "video e Ibicas" e dëmton ndjeshëm aleancën e populistëve të djathtë.

Kriza e thellë

Image
Herbert Kickl, ministri i Punëve të Brendshme u largua nga kancelari Kurz, pas tij ikën në shenjë solidariteti ministrat e tjerë të FPÖ

Vetë Kancelari austriak, Sebastian Kurz shpreson një fitore të zgjedhjeve si në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, kur parardhësi i tij, Wolfgang Schüssel përfitoi nga vetëshkatërrimi i FPÖ përmes kryetarit të saj të atëhershëm, Jörg Haider.

Por këtë herë Austria ka rënë në një krizë të thellë shtetërore. Sepse përbërja e qeverisë së përkohshme, deri në zgjedhjet e ardhshme - një risi në Republikën e Dytë -  është një çështje ende e hapur. Të hënën hoqën dorë nga postet e tyre të gjithë ministrat e FPÖ-së, në shenjë solidariteti me ministrin Herbert Kickl. Kancelari Kurz ka bërë të ditur, se do të zërë postet e ministrave me ekspertë, shumica funksionarë të lartë. Por po duket qartë, se kjo qeveri nuk do ta ketë më shumicën në parlament, dhe nuk ka për t'i mbijetuar mocioneve të votëbesimit që janë planifikuar në parlament. Presidenti i vendit mund të ngarkojë në këtë rast krerë të tjerë partish me krijimin e një qeverie të përkohshme.

Image
Otmar Lahodynsky analizon situatën në Austri

Socialdemokratët e SPÖ do duan të hakmerren për kalimin në opozitë të detyruar nga ÖVP, ku ata ende nuk po rimëkëmben dot edhe me kryetaren e re të partisë, Pamela Rendi-Wagner. Të Gjelbrit pas ndarjes, nga viti 2017 nuk janë më pjesë e parlamentit, dhe shpresojnë të rikthehen. E sigurtë është deri më tani një gjë: Balancat e brendshme politike në Austri pas videoskandalit kanë ndryshuar tërësisht.

Otmar Lahodynsky është gazetar austriak, redaktor në revistën informative, "Profil"/DW/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...