Aeroporti Heathrow i Londrës vazhdoi funksionimin normal të premten, pavarësisht planeve të aktivistëve kundër ndryshimeve klimatike për të ndërprerë fluturimet duke përdorur dronë pranë pistës së fluturimit.
Një grup aktivistësh i quajtur “Heathrow Pause”, kishte planifikuar të përdornin dronë në një rreze prej 5 kilometrash nga aeroporti.
Protesta kishte si qëllim t’i jepte një shtytje qeverisë për masa më agresive për të ulur emetimin e karbonit. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” përpjekja dështoi për shkak se dronët nuk arritën të fluturojnë dhe aeroporti vazhdoi funksionimin normal.
Në faqen e tyre në internet autoritetet e aeroportit njoftuan se pistat e fluturimit" janë të hapura dhe në punë, pavarësisht përpjekjeve për të prishur veprimtarinë përmes përdorimit të paligjshëm të dronëve".
Të premten policia arrestoi dy persona në lidhje me protestën, pas arrestimit të pesë të tjerëve një ditë më parë.
Zyrtarët e aeroportit i kanë quajtur protestat me dronë një veprim "i pakujdesshëm", duke thënë se ato "mund të rrezikojnë jetën e udhëtarëve e ekuipazheve".
Një ligj britanik i miratuar vitin e kaluar ndalon fluturimin e dronëve brenda një rrezeje prej 5 kilometrash nga çdo aeroport. Vendimi ishte rezultat i protestave me dronë në dhjetor 2018 dhe janar 2019-s që shkaktuan probleme me më shumë se 1000 fluturime në aeroportet e Heathrow dhe Gatwick të Londrës, gjë që pati ndikim tek dhjetra mijëra udhëtarë./VOA