Stamboll, ceremoni përkujtimore për një vjetorin e vrasjes së Khashoggit - Bota Sot
Stamboll, ceremoni përkujtimore për një vjetorin e vrasjes së Khashoggit

Evropë

Stamboll, ceremoni përkujtimore për një vjetorin e vrasjes së Khashoggit

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 19:25
Ceremoni përkujtimore për një vjetorin e vrasjes së Khashoggit

Në Turqi, u mbajt një ceremoni përkujtimore për të shënuar përvjetorin e parë të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, gjymtyrët e të cilit u copëtuan në konsullatën Saudite në Stamboll. Vrasja e gazetarit Khashoggi shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare ndaj Arabisë Saudite dhe thirrjet për drejtësi po vazhdojnë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones sjell hollësitë.

Ceremonia përkujtimore në Stamboll solli momente të trishtueshme pasi u zhvillua vetëm disa metra larg konsullatës saudite, ku Jamal Khashoggi hyri për të marrë dokumentet për martesë. Por në vend të dokumenteve martesore, atë e priste vdekja në duart e një skuadre saudite, që dyshohet se veproi me urdhër të Princit të Kurorës Saudite, Mohamed bin Salman.

E fejuara e zotit Khashoggi, Hatice Cengiz, drejtoi ceremoninë e sotme.

"Të gjithë këta njerëz të mrekullueshëm e njihnin Jamalin si një gazetar, shkrimtar, aktivist, mik, dhe një qenie të madhe njerëzore. Ai ishte shoku im më i mirë; ai ishte dashuria e jetës sime. Unë ende e dua atë."

Përfaqësues të grupeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe miq të gazetarit ishin në mesin e atyre që morën pjesë në këtë ceremoni.

Mes tyre ishte edhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë Amazon, Jeff Bezos, pronar i gazetës Washington Post, e cila botoi artikujt e zotit Khashoggi.

"Ju duhet të dini se jeni në zemrat tona dhe nuk jeni të vetëm".

Artikujt kritikë ndaj Princit saudit besohet se bënë që gazetari Khashoggi të vihej në shënjestër të sauditëve.

Njëmbëdhjetë persona janë akuzuar në Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit Khashoggi, disa prej të cilëve u kapën nga kamerat turke të sigurisë kur mbërritën në Stamboll.

Princi i kurorës mohon çdo përfshirje në vrasje dhe përpjekjet e grupeve të të drejtave të njeriut për ta mbajtur atë përgjegjës po veniten.

Edhe udhëheqësit botërorë duket se janë në ankth për t’u distancuar nga polemika, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut.

"Unë mendoj se është e nevojshme t’ua kujtojmë të gjithëve se në çfarë gjendje të keqe ka ardhur rendi ndërkombëtar që lejon një shtet si Arabia Saudite të jetë në gjendje të vrasë një gazetar kritik në konsullatën e tyre. Duhet t’ua kujtojmë njerëzve se sa e rëndësishme është që të kërkojmë drejtësi për Jamal Khashoggin dhe me këtë t'i bëjmë gazetarët në të gjithë botën më të sigurt", thotë Andrew Gardener nga organizata Amnesty International.

Pjesëmarrësit në ceremoninë përkujtimore në Stamboll u zotuan të punojnë për sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për vrasjen. Dhe për të mos lejuar që vrasja e Khashoggit të bëhet diçka e harrueshme në histori./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...