Marrëveshja për Brexit "ka fare pak gjasa" - Bota Sot
Marrëveshja për Brexit "ka fare pak gjasa"

Evropë

Marrëveshja për Brexit "ka fare pak gjasa"

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 16:29
Boris Johnson dhe Angela Merkel - foto arkivi

Burime të Qeverisë britanike thanë se marrëveshja për Brexit, apo për daljen e Britansë nga Bashkimi Evropian, "është në thelb e pamundur".

Ky vlerësim, sipas BBC-së, pason një bisedë telefonike të kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson, me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Thuhet se Johnson foli për propozimet për marrëveshje që i ka dorëzuar te BE-ja, porse Merkel e bëri të qartë se marrëveshja e bazuar në ato propozime "ka fare pak gjasa".

Sipas BBC-së, Merkel po ashtu tha se marrëveshja nuk do të jetë kurrë e mundur derisa Irlanda e Veriut nuk mbetet në unionin doganor.

Një zëdhënës i Merkelit tha se ata nuk i zbulojnë bisedat konfidenciale.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, bëri një postim në Twitter, duke iu drejtuar Johnsonit:

"Ajo çfarë është në rrezik nuk është të fituarit e një loje të marrë të fajit. Në rrezik është e ardhmja e Evropës dhe e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe siguria dhe interesat e njerëzve tanë".

Johnson ka thënë vazhdimisht se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja në afatin e 31 tetorit, me ose pa marrëveshje.

Një nga çështjet kryesore që e pengon marrëveshjen është e ardhmja e kufirit midis Irlandës Veriore - e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe do ta linte BE-në me pjesën tjetër të vendit - dhe Republikës së Irlandës, e cila është pjesë e BE-së.

Paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur një marrëveshje me BE-në për këto çështje, por marrëveshja e saj është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik.

Një gjë e tillë ka detyaruar Mayn të japë dorëheqje, duke sjellë Johnsonin në krye të Qeverisë britanike.

Derisa BE-ja ka thënë se nuk negocion marrëveshje të re, Johnson ka dalë javën e kaluar me disa propozime të tij që duket se nuk i kanë bindur udhëheqësit evropianë.

Institucionet kryesore financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë BE-në pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...